Komisioni i Parlamentit Europian për Punët e Jashtme i është rikthyer një shqetësimi të shprehur disa muaj më parë, këtë herë me kërkesën konkrete të nisjes së një hetimi mbi veprimet e Komisionerit Europian të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi.
Njoftimin e përcolli përmes llogarisë së tij në Tëitter eurodeputeti holandez, Thijs Reuten. Hetimi sipas tij kërkohet mbi bazën e Varhelji po minon qëllimisht reformat në fushën e demokracisë dhe shtetit të së drejtës tek vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Thellësisht i shqetësuar nga raportet se Komisioneri i Zgjerimit kërkon qëllimisht të anashkalojë dhe minojë reformat demokratike dhe të sundimit të ligjit në vendet që duan aderimin në BE; i kërkohet Komisionit të nxisë një hetim të pavarur dhe të paanshëm i cili të sqarojë nëse sjelljet e shfaqura dhe politikat e ndjekura nga Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin përbëjnë shkelje të Kodit të Sjelljes për Anëtarët e Komisionit Europian dhe të detyrimeve të Komisionerit sipas Traktateve”- shkroi Thijs Reuten në Twitter.
Thirrje për një hetim ndaj Varhleyit janë shfaqur që në janar të këtij viti. Përmes një letre të hapur, anëtarë të PE-së i bënë thirrje asokohe kryetares së Komisionit Europian, Ursula fon der Layen për një verifikim të Varhleyit lidhur me relatat e tij me anëtarin e Presidencës Serbe të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik. Në letër, eurodeputetët shfaqeshin tejet të alarmuar nga përshkallëzimi i dukshëm i tensionit politik të nxitur nga Dodik brenda Bosnje Hercegovines, që dëshiron nga ana tjetër, të bëhet një ditë pjesë e bllokut europian.
Oliver Varhleyi, njeriu i Viktor Orbanit në Bruksel, shkruan së fundi analisti Keno Verseck. Avokatit, diplomatit dhe aleatit prej një kohe të gjatë të Orbanit i pëlqen të paraqitet si një komisioner besnik i BE-së. Por në realitet, Varhelyi ka vepruar si agjent i Orbanit, duke avancuar axhendën e tij përcarëse, nënvizohet në artikull.
Top Channel