Konflikti që degradoi në përdorimin e armëve në PD-në e Kurbinit, ka lënë jashtë primareve dy kandidatë.

Dy kandidatë të primareve për Bashkinë e Kurbinit Alfred Dajçi dhe Edmond Shkoza janë përjashtuar nga gara e 4 dhjetorit me vendim nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale.

Në njoftimin e KOKOE bëhet thirrje që të merren masat e nevojshme disiplinore dhe shkarkimi nga çdo funksion i Vani Ricës, personit që qëlloi me armë.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës gjatë një takimi të kandidateve të primareve me kryesinë.  Shkak për sherrin mes Van Ricës dhe Kasteriot Markut, është bërë kërkesa për shtimin e simpatizantëve në listat e PD që do të votojnë me 4 dhjetor për primaret. Nga anëtari i PD Van Rica, është kërkuar që të shtohen disa simpatizantë ndërkohë kjo është kundërshtuar nga nën kryetari i kësaj dege Kasteriot Marku.

Sherri më pas ka degraduar deri në përdorimin e armëve por fatmirësisht asnjë nga personat nuk ka mbetur i lënduar. 53-vjeçari Rica rezulton të jetë punonjës i një policie private në Laç, çka shpjegon edhe pse ai dispononte një armë. Ndaj tij janë ngritur akuzat “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Top Channel