Me thirrjen për drejtësi, në Prishtinë u mbajt të enjten një protestë për të gjitha gratë e vrara.
Rasti i fundit i rëndë, ishte ai i 35-vjeçares Hamide Magashi, e cila vra nga bashkëshorti i saj, Sokol Halili, më 30 nëntor, në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë, vetëm një ditë përpara se të lindte.
Marshi i protestuesve nga sheshi “Zahir Pajaziti” e deri tek Ministria e Drejtësisë u shoqërua me thirrje për dorëheqje, teksa pjesëmarrësit mbanin në duar pankarta të shumta si: “Historinë e Kosovës po e shkruajmë me gjak të grave”, apo ”Burrat vrasin gratë, e shteti hesht”.
Ajo se çfarë e rëndon edhe më ngjarjen është se 35- vjeçarja Magashi, kishte pasur urdhër-mbrojtje , ndërsa autori Sokol Haliti vazhdon të jetë në arrati.
Familjarët e së ndjerës kërkojnë që drejtësia të vihet sa më shpejt në vend.
Motra e viktimës, Selvete Arifi tha: Atë duhet me marrë dhe ta varin midis sheshit dhe me pre me zhilet sepse ai e meriton. Ne nuk kemi siguri sepse atë ende nuk e kanë kapur, na kemi frikë, një patrullë e policisë po rrinë me njërën anë mirëpo duhet një të rrijë përpara se mundet të vijë dhe me na bo diçka.
Dënim kërkon edhe babai i autori, i cili mohon të ketë dijeni për vendndodhjen e të birit.
Ndërkohë ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se ngjarja është “pasojë e papërgjegjësisë institucionale” dhe shumë shpejt do të ketë ndëshkime.
Top Channel