“Duhet përfundimisht ta bëjmë të qartë që jeta e vajzave e grave është po aq e vlefshme sa jeta e djemve dhe burrave”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut.
Ky takim, që Osmani e quajti të jashtëzakonshëm, u thirr të premten mbrëma nga vet ajo, dhe vjen pas vrasjes së dy grave, me të dyshuar kryesor bashkëshortët e tyre, të cilat kanë ndodhur brenda një jave në Kosovë.
Presidentja tha se e sheh si jashtëzakonisht shqetësues fenomenin e vrasjes së grave në vend, dhe se qëllim kryesor i takimit është parandalimi me çdo kusht i rasteve të tilla.
“Duhet të sigurohemi që kemi kapacitete për reagim të menjëhershëm. Kërkoj nga të gjithë që ta shfrytëzojnë këtë platformë jo vetëm për t’u takuar, por edhe për të shtruar pyetjet më të vështira që t’u japim përgjigje”, tha ajo.
Në takim kanë marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, ministra dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Kurti tha se me vite të tëra shoqëria jonë e mban dhunën në familje si çështje private, kurse abuzimin ndaj partnerit si çështje dënimi.
“Ndryshimi është i mundur, përgjigja institucionale ndaj këtyre krimeve mizore e trajtimeve çnjerëzore ndaj gruas duhet të jetë e pandalshme, por inicialisht ky ndryshim duhet të fillojë nga vetë ne, nga secili prej nesh”.
“Kjo luftë e gruas për mbijetesë brenda mureve të shtëpisë është luftë e shoqërisë, luftë e shtetit në përkrahje të grave dhe të vajzave dhe ne duhet të ua dëshmojmë përditë se ato nuk janë vetëm”, tha ai.
Vrasja e fundit ka ndodhur më 30 nëntor, kur një grua shtatzënë është qëlluar për vdekje në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë. I dyshuar kryesor për vrasjen është bashkëshorti i saj, i cili më pas vrau veten.
Kjo është gruaja e dytë që është vrarë në ditët e fundit në Kosovë, pasi më 25 nëntor u raportua se një burrë e kishte vrarë gruan e tij me sëpatë. Ngjarja kishte ndodhur po ashtu në Prishtinë.
Rastet e dhunës në familje në Kosovë janë rritur në vitet e fundit.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, dhënë Radios Evropa e Lirë, gjatë vitit 2020 në Kosovë janë evidentuar 2.069 raste të dhunës në familje, me 2.101 viktima; në vitin 2021 janë evidentuar 2.456 raste me 2.486 viktima.
Kurse, gjatë periudhës janar-tetor 2022, janë regjistruar 2.273 raste të dhunës në familje.
Sipas të dhënave të policisë dhe të organizatës Rrjeti i Grave të Kosovës, në 12 vjetët e fundit u vranë 50 gra./ REL
Top Channel