Kanadezi i bardhë akuzohet për vrasje të 3 grave të dobëta të popujve indigjenë (fotot)

02/12/2022 19:38

Një burrë në Kanada i akuzuar më parë për vrasjen e një gruaje të komunitetit indigjen, është akuzuar së fundmi dhe për tre vrasje të tjera të ngjashme te grave të pambrojtura – dy të konfirmuara si gra të popujve indigjenë, dhe tjetra që besohet gjithashtu e tillë.

Jeremy Skibicki është arrestuar më 18 maj kur u gjetën pjesë të trupit të 24 vjecares Rebecca Contois, panë një ndërtese apartamentesh. Contois jetonte në qytetin Winnipeg dhe ishte anëtare e komunitetit aborigjen O-Chi-Chak-Ko-Sipi.

Policia tha asokohe se nuk mund të përjashtonin se kishte viktima të tjera. Dje Skibicki u akuzua për vrasje në kushte të rënduara të tre grave të tjera, thuajse në të njëjtën periudhë me të parën. Trupat e viktimave të tjera ende nuk janë gjetur.

Policia tha Morgan Beatrice Harris, 39 vjeçe, dhe Marcedes Myran, 26, janë vrarë në javën e parë të majit. Ato të dyja jetonin në Winnipeg dhe ishin anëtare të popullit aborigjen ‘Long Plain’.

Zyrtarët shtonin se një grua e katërt, e paidentifikuar por që besohet se është aborigjene, besohet se është vrarë më 15 mars.

“Është gjithmonë e rëndë kur ndodhin vrasje të tilla seriale,” tha kreu i policisë së Winnipeg, Danny Smyth. “Kemi të bëjmë me gra të komuniteteve indigjene. Jemi shumë të përfshirë me hetimin e grave të humbura indigjene dhe pasojat që vijnë nga kjo çështje”, shtoi ai.

Ai nuk pranoi të jepte më shumë detaje pasi hetimet ishin ende në vijim.

“Kemi ende shumë punë për të mbrojtur jetën e grave e vajzave indigjene. Aktualisht shumë njerëz po jetojnë në varfëri, ne mungesë strehimi e ne varësi nga drogat, dhe kjo i bën ata më të ekspozuar e të paaftë për t’u mbrojtur”.

Policia nuk dha më shumë detaje për ngjarjet e rënda por thanë se besojnë se nuk ka viktima të tjera.

“Nuk e dimë nëse ato janë shënjestruar individualisht, por duket qartë se viktimat ishin të komunitetit indigjen, te ekspozuara e te pambrojtura”.

Smyth shtoi se megjithëse nuk janë gjetur trupat e tre viktimave, autoritetet kishin prova të mjaftueshme për të ngritur akuzat ndaj Skibicki.

Mijëra gra e vajza të popujve indigjenë janë vrarë ose zhdukur dekadat e fundit, në një plagë të rëndë shoqërore që zakonisht shoqërohet me heshtje dhe mungesë interesi nga autoritetet në Kanada.

FOTO GALERI
2/4
Shumë njerëz te popujve indigjene jetojnë në varfëri, ne mungesë strehimi e ne varësi nga drogat

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA