Reagimi i zemëruar i Vuçiçit ndaj emërimit të ministrit të ri për komunitete në qeverinë e Kosovës Nenad Rashiç, një politikan i moderuar në vend të ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe, nuk e la indiferent Bashkimin Europian.

Edhe pse BE-ja i bëri thirrje si Kosovës, ashtu edhe Serbisë të veprojnë në mënyrë europiane dhe të shmangin veprimet e retorikën që mund të nxisë tensione, tërheqja e veshit duket se më shumë kishte të bënte me Beogradin. Vuçiç reagoi me gjuhë mjaft të ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe ministrit Rashiç, ndërsa fshikulloi edhe atë që e quajti “reagim shumë të butë të BE-së”. Presidenti serb madje paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë në takimin e bllokut me Ballkanin Perëndimor më 6 dhjetor në Tiranë. Zëdhënësi i bllokut, Peter Stano u shpreh se Brukseli pret që Serbia dhe Kosova të veprojnë në mënyrë europiane.

“Nëse keni aspirata europiane, silluni në mënyrë europiane. Mënyra europiane do të thotë të përmbaheni nga hapat e njëanshëm, të përmbaheni nga hapat që rrisin konfrontimin, që çojnë në përshkallëzim dhe të angazhoheni në gjetjen e zgjidhjeve në mënyrë europiane”.

Pas takimit në kryeqytetin serb me komisionerin europian të zgjerimit, Oliver Varhelui, Vuçiç u shpreh se do ta shqyrtojë pjesëmarrjen në takimin e Tiranës, meqenëse Bashkimi Europian e cilëson atë shumë të rëndësishëm në kuadrin e situatës globale. Ai megjithatë nënvizoi se nuk tërhiqet nga fjalët që ka thënë për kryeministrin e Kosovës dhe ministrin Rashiç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA