Rusia tha sot se refuzimi i Perëndimit për të njohur “territore e reja” të aneksuara nga Ukraina po i vështirëson bisedimet e paqes, pasi presidenti amerikan Joe Biden tha dje se është i gashëm për t’u takuar me Vladimir Putin.
Kremlini u përgjigj sot duke thënë se është i hapur për negocjata, por jo për kërkesën e Perëndimit për “tërheqje nga Ukraina”.
Perëndimi thotë se Rusia ka aneksuar ilegalisht katër rajone urkainase në fund të shtatorit, por më pas humbi sërish ose u tërhoq nga një pjesë e tyre.
Presidenti Biden tha mbrëmë me gazetarët se është i gatshëm të takohet me liderin rus nëse “ai ka vërtet interes për të gjetur një rrugë për mbylljen e luftës”.
Biden foli përkrah presidentit vizitues Emmanuel Macron, teksa më tej ata bënë të qartë se nuk duan të nxisin ukrainasit të bëjnë kompromise që “për ta nuk janë të pranueshme”.
Aktiviteti i ri diplomatik vjen pas disa muajsh pa shenja entuziazmi për bisedime, teksa Rusia vijon të akuzohet për sulme ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë.
Dje kancelari gjerman Olaf Scholz foli në telefon me presidentin Putin, për çka Berlini tha se kishte nxitur rusin të gjente një zgjidhje diplomatike dhe rrjedhimisht tërheqje nga Ukraina.
Zëdhënësi rus Dmitry Peskov tha dje se Putin mbetet i hapur për bisedime por jo sipas kushteve të SHBA: “President Biden tha se negocjatat janë të mundshme vetëm nëse Putin largohet nga Ukraina, kjo nuk është realiste” , tha ai.
Edhe ministri i jashtëm italian Antonio Tajani tha dje se ‘ka ardhur koha të punohet për paqen në Ukrainë’, por kjo duhet të vijë me pavarësinë e Kievit dhe jo me dorëzimin e tij, sipas të përditshmes vendase La Repubblica.
Top Channel