Video/ Avokati në Texas tenton të vrasë me armë ish-të dashurën bariste, para përleshjes me klientët në bar (fotot)

01/12/2022 19:53

(Permbajtje e rende) Një avokat ‘i tërbuar’ në Austin, Texas, është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa tentonte të vriste me armë ish-të dashurën e tij e cila punonte në bar të shtunën, njoftonte policia.

41 vjeçari Gavin Rush, është liruar tashmë me kusht pasi hyri furishëm në barin Anderson Mill Pub me pistoletë në dorë, të cilën ia drejtoi ish-të dashurës së tij në anën tjetër të barit, sipas të dhënave të arrestimit, nga rrjeti vendas  KVUE.

Ai kishte futur pistoletën në një çantë të vogël në tavolinë dhe kërkoi të fliste me të, por kur gruaja refuzoi, ai nxorri armën me shënjestruese lazeri, duke e drejtuar në gjoksin e gruas, siç shihet në pamjet dramatike të kamerave të sigurisë.

Gruaja besohet se do të ishte qëlluar nëse një klient aty pranë nuk do të kishte ngritur lart dorën e sulmuesit.

Video e incidentit tregon se për fat dy klientë të guximshëm u lëshuan menjëherë për të ndaluar Rush, i cili raportohet se kishte qëlluar disa herë gjatë përleshjes teksa fatmirësisht nuk pati të plagosur me armë.

Gruaja tha në polici se burri sapo kishte mësuar se ajo kishte një të dashur të ri dhe e kishte kërcënuar se do ta lëndonte.

Një nga klientët që ndërhyri për ndalimin e Rush, i cili kërkonte të mbetej anonim, tha për rrjetin KVUE se kur rishikonte pamjet e incidentit i vinte “për të vjellë”.

“Nuk mbaj mend ta kem bërë këtë, shtyva lart dorën e tij dhe arma qëlloi, pastaj ne ramë prapa, bashkë me një tjetër e ndaluam dhe një tjetër e shtënë doli nga arma”, tha ai.

Dëshmitarët thanë se tre të shtëna ishin qëlluar në total, një prej të cilave kishte thyer pasqyrën e barit prapa ish-të dashurës së Rush.

Rush u akuzua për sulm të rëndë me armë dhe dhunë shtëpiake, por u lirua shpejt me kusht pasi pagoi garancinë $40,000, raporton rrjeti KVUE.

“Për $4,000, mund të shkosh rehat në shtëpi të shikon televizor pasi ke tentuar të vrasësh ish-të dashurën me armë. Është për të qeshur ajo jo?”, tha një klient pas ngjarjes për mediat.

Rush është shkarkuar nga kompania e avokatisë ku punonte, ndërsa ishte dënuar më parë për dhunë shtëpiake në 2017, raporton rrjeti KVUE.

FOTO GALERI
1/3
Gavin Rush është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa tentonte të vriste me armë ish-të dashurën e tij e cila punonte në bar të shtunën

Top Channel