Dështoi të miratohej në Kuvendin e Kosovës rezoluta e propozuar nga partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që kërkonte veprime të Qeverisë në lidhje me rikthimin e serbëve të dorëhequr nga institucionet e vendit.
Që prej fillimit të nëntorit, qindra serbë nga katër komunat veriore të vendit kanë dhënë dorëheqje nga disa institucione të Kosovës, përfshirë Policinë, gjyqësorin, si dhe në nivel politik në komuna dhe në Parlament. E gjithë kjo valë dorëheqjesh erdhi si formë proteste ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare për riregjistrimin e targave të makinave që lëshohen nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës në RKS.
Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, e kishte hedhur rezolutën për votim me kërkesën të nistë menjëherë në të gjitha nivelet e qeverisjes një dialog intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucione dhe për të kthyer kështu besimin e ndërsjellë mes palëve”. I thirrur në interpelancë, Kryeministri Albin Kurti, komentoi dorëheqjet duke thënë se vakumet duhet mbushur me “aplikime të reja për punë”.
“Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional”.
Enver Hoxhaj, deputet opozitar nga Partia Demokratike e Kosovës reagoi ndaj fjalimit të Kurtit duke thënë se situata në veri të vendit “nuk është vetëm vakum institucional”. “Është humnerë politike. Aktualisht, nuk ka as institucione shtetërore (në veri), as proces politik për t’i krijuar ato. Situata në veri të vendit ka qenë çdo herë komplekse, por pas 5 nëntorit (dita e nisjes së dorëheqjeve) është një kolaps shtetëror”, u shpreh ai.
Top Channel