Shtohen myslimanët, të krishterët për herë të parë minoritet në Angli

29/11/2022 21:12

Për të parën herë, thotë BBC, më pak se gjysma e popullatës në Angli dhe Uells e konsideron veten të krishterë, sipas të dhënave të Censusit 2021.

Rreth 46.2 për qind e të intervistuarve atje e konsideron sot veten të krishtere, krahasuar me 59.3 për qind që ishte shifra në regjistrimin e fundit të popullsisë në 2011-tën. Britania e Madhe është bërë më pak besimtare, dhe ka më pak banorë të racës së bardhë nga sa tregonte Censusi i përpara një dekade, dëshmojnë shifrat e publikuara nga Zyra e Statistikave Kombëtare.

Numri i atyre që e identifikojnë veten si myslimanë rezulton të jetë rritur nga 4.9 për qind në 6.5 për qind, ndërsa hindute janë shtuar nga 1.5 për qind në 1.7 për qind.

Më shumë se një në tre persona – apo 37 për qind – konsiderojnë aktualisht se nuk i përkasin ndonjë feje, në krahasim me 25 për qind që ishte në 2011. Njerëzit janë pyetur gjithashtu për grupin etnik të cilit i përkasin dhe identitetin kombëtar. Pjesët tjera të Mbretërisë së Bashkuar, Skocia dhe Irlanda Veriore, i publikojnë të dhënat e tyre vecmas.

Aktivistët e laicizmit pretendojnë se ky ndryshim duhet të nxisë analiza për mënyrën sesi është rrënjosur feja në shoqërinë britanike. Vendi ka ende shkolla të Kishës së Anglisë që financohen nga shteti, dhe pjesëtarë të institucioneve kishtare kanë vende në Parlament. Censusi i 2021-shit, i kryer në 21 mars të vitit të kaluar, u plotësua nga më shumë se 24 milionë familje në të gjithë Anglinë dhe Uellsin.

Më shumë të dhëna nga regjistrimi do të publikohen me faza përgjatë dy viteve të ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA