Senegali mposht dhe eliminon Ekuadorin, afrikanët fitojnë sfidën vendimtare

29/11/2022 18:01

Në ndeshjen e fundit të Grupit A, Senegali ia del të sigurojë kualifikimin për në fazën e 1/8-tave.

Kombëtarja afrikane mposhti me rezultatin 1-2 Ekuadorin që nga ana e saj kishte edhe mundësinë për t’u kualifikuar me anë të barazimit.

Por, Senegali ishte më bindës në fushë dhe e kërkoi vazhdimisht golin, të cilin në fakt e gjeti vetëm në fundin e pjesës së parë me anë të Ismaila Sarr që shënoi në minutën e 44-të nga goditja e penalltisë. Në fraksionin e dytë, ishte e pritshme që Ekuadori të kërkonte golin e barazimit. Në fakt, amerikano-latinët e gjetën rrugën e rrjetës me anë të Caicedos në minutën e 67-të, por festa zgjati pak.

Ishte Kalidu Koulibaly që vetëm tre minuta më pas riktheu të tijtë në avantazh. Një avantazh të cilin afrikanët e ruajtën me fanatizëm deri në fundin e lojës dhe me gjashtë pikë marrin kështu kualifikimin e shumëdëshiruar për në raundin tjetër, atje ku do të presin fituesin e Grupit B. Ndërkohë, Ekuadori eliminohet edhe pse me katër pikë dhe pasi zhvilloi një edicion pozitiv.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA