Fenomeni i emigracionit po zbraz shkollat.

Këtë vit shkollor në banka janë ulur 17 543 nxënës më pak. Rënia më e thellë ndihet më shumë në arsimin 9 vjeçar ku krahasuar me vjet mungojnë  11 146 fëmijë të moshës shkollore 6-15 vjeç, ndërsa në shkollat e mesme numri është ulur me 6400 gjimnazistë.

Këto janë të dhënat e Ministrisë së Arsimit deri më tani që ka siguruar Top Channel, por mendohet që mungesa të jetë edhe më e lartë, pasi muajt e fundit ka pasur edhe nxënës që kanë lënë shkollën në gjysmë për të emigruar me gomone, kanë raportuar mediat britanike.

Pavarësisht se nuk ka transparencë me shifrat, Top Channel mëson se në të gjithë Shqipërinë përgjatë këtij viti shkollor janë regjistruar në arsimin parauniversitar rreth 346 mijë nxënës, kur vitin e shkuar ishin 363 mijë.

Sipas llogaritjeve, të dhënat janë më alarmante të mbledhura brenda 3 viteve shkollore nga 2020-2021 deri në vitin 2022-2023 numri i nxënësve është ulur përafërsisht me 45 mijë.

Rënia më e madhe vjet ishte në gjimnaze, me 17 813 nxënës më pak se në vitin shkollor 2020-2021.

Ndërsa në tre dekada ndryshimi është edhe më i dukshëm, sot shihet përgjysmim i klasave, në raport me vitin 91,kur në shkolla kishte 687 mijë nxënës të ulur në banka.

Top Channel