Video/ Policia nis arrestimet, bllokon grumbullimet në Shangai pas protestave masive kundër kufizimit të lirive (fotot)

28/11/2022 20:55

Prezencë e gjerë e policisë dhe arrestime shiheshin sot në Shanghai ku u zhvilluan një natë më parë protestat e gjera kundër politikave të qeverisë dhe kufizimeve të Covid.

Policia kishte dalë në rrugë e kryqëzime për të ndaluar përhapjen e disidencës që kërkon liri politike dhe fund të izolimeve të virusit.

Sot forcat kineze të sigurisë bënë arrestime paraprake për ndalimin e organizimit të një tjetër proteste, siç po ndodh në kampuset universitare të qyteteve të mëdha.

Pikënisja e valës së protestave më të mëdha që prej vitit 1989 në Kinë, ishte një zjarr me disa viktima në kryeqytetin e provincës Xinjiang, ku kufizimet u fajësuan për pengim të ndihmës ndaj viktimave.

Në qendrën ekonomike të Shangai ku demonstruesit ishin mbledhur në fundjavë, rrjeti AFP dëshmonte arrestime të kryera nga policia.

Fushata e kufizimeve përfshin censurë në rrjetet sociale të cilat janë përdorur për organizimin e grumbullimeve.

Një protestë e planifikuar për sot në Pekin nuk arriti të grumbullohej teksa dhjetra oficerë dhe furgonë policie mbyllën pikën e grumbullimit në një kryqëzim në zonën perëndimore të Haidian.

Automjete policie u rreshtuan në rrugën pranë urës Sitong ku një protestues i vetmuar denonconte në pankarta presidentin Xi Jinping, para se të ndalohej.

Demonstruesit kishin planifikuar të marshonin drejt urës sipas marshimit të suksesshëm një ditë më parë pranë lumit Liangma.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA