“Historia e shqiptarëve nuk bën kompromise”, presidenti Begaj: T’i përkushtohemi Shqipërisë së gjeneratës tjetër

28/11/2022 20:17

Në pritjen shtetërore të organizuar sot me rastin e 110 – vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti autoritete të larta të shtetit, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të forcave politike, komuniteteve fetare, kulturës, artit dhe medias për të kremtuar së bashku festat kombëtare.

“28 nëntori, data që bën bashkë, me mendime e me zemër, çdo shqiptar dhe çdo mik të shqiptarëve. Kjo datë është mishërimi i sakrificës, gjakut dhe kontributit të paçmuar të atdhetarëve e heronjve tanë kombëtarë. Flamuri që nderojmë sot është vetë historia jonë; – histori e sakrificave më sublime për të mbrojtur, me çdo çmim e në çdo kohë, atdheun, gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar. Sot festojmë 110 vite nga dita, kur patriotë dhe delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, me përgjegjësi kombëtare dhe historike, njëzëri pagëzuan shtetin e ri shqiptar, atdheun që kemi sot. Ata kishin fe dhe formime të ndryshme, por të gjithë ndanin të njëjtin vizion për Shqipërinë: vizionin e një shteti të lirë, të pavarur e demokratik. E ndaj, ata burra dhe familje të mëdha shqiptare kanë nderimin dhe mirënjohjen tonë të përjetshme. Rruga jonë për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale është një rrugë pa kthim, ashtu si angazhimi ynë për paqen dhe dialogun.

Shqipëria është sot anëtare e denjë e aleancës më të suksesshme në histori, në NATO, me pjesëmarrje aktive në misione në mbështetje të paqes e stabilitetit në rajon e në botë. Vendi ynë përfaqësohet po aq denjësisht në OKB, si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit dhe e angazhuar në forume globale. Shqipëria ka  treguar se është mbështetëse e vlerave demokratike, e fqinjësisë së mirë dhe derë e hapur për miq e njerëz në nevojë. Vendi ynë është krenar për miqësinë dhe aleancën strategjike me SHBA, vendet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe të gjitha vendet mike dhe aleate në botë. Jemi mirënjohës për mbështetjen e tyre! Fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një arritje historike, që njeh përkushtimin ndër vite të institucioneve shqiptare. Shqipëria, pas një vlerësimi historik, do të mirëpresë liderët Evropianë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Ky është një mesazh inkurajimi për të ardhmen evropiane të shqiptarëve në Shqipëri dhe në të gjitha vendet e rajonit. Edhe pse të ndarë në disa shtete, faktori shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e diasporë  ka qenë, është, dhe do  të jetë i bashkuar, në mbështetje të destinacionit tonë të përbashkët në familjen Euro-Atlantike. Vizioni mbarë-popullor për të qenë pjesë e familjes evropiane duhet të jetë premisa dhe shtysa për bashkëpunim konstruktiv, politik e parlamentar, për vijimin e reformave dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Qytetarëve ju duhet dhënë siguri që reforma në drejtësi ka ngritur institucione të besueshme dhe të përgjegjshme, që garantojnë të drejtën e tyre për drejtësi dhe barazi para ligjit. Brezat e rinj kanë nevojë të shohin perspektivë të qartë zhvillimi, demokraci funksionale, hapësirë për idetë e tyre dhe optimizëm për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu. Diaspora duhet të gëzojë të drejtën e votës dhe të mbështetet me programe që nxisin kontributin, ekspertizën dhe investimet e tyre. Zgjedhjet e ardhshme vendore janë një mundësi për të demonstruar bashkëpunim e përgjegjshmëri politike e institucionale, për zgjedhje të lira e demokratike.

Si President i Republikës, në interes të kombit dhe të ardhmes tonë, ftoj të gjithë aktorët politikë e institucionalë, shoqëri civile e media, çdo shqiptar, që t’i përkushtohemi vizionit për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, vendin e projektuar për të qenë anëtare në Bashkimin Evropian. Po lëmë pas një vit të vështirë. Shqipëria ka dënuar pa asnjë hezitim agresionin e papërligjur të Rusisë ndaj Ukrainës dhe luftën, që vijon të shkaktojë pasoja të shumta për të gjitha vendet. Ndryshimi i kontekstit rajonal, evropian dhe global të sigurisë, kriza ekonomike, energjetike, sulmet kibernetike kanë nxjerrë në pah nevojën e shtuar për bashkëpunim konstruktiv, politik e parlamentar, për çështje të sigurisë kombëtare dhe në bashkërendim të ngushtë me aleatët tanë. Ky  bashkëpunim është i nevojshëm edhe për lartësimin e Kosovës, si një  realitet i pakthyeshëm.  Në duhet të kontribuojmë më tej për njohjen e shtetit të Kosovës, liberalizimin e vizave për qytetarët e saj,  si dhe të vazhdojmë të mbështesim përparimin e dialogut politik me Serbinë. Të dashur bashkatdhetarë, Historia e shqiptarëve është një histori që na bën krenarë. Ajo është historia e një kombi  që nuk bën kompromis me asgjë dhe askënd që cënon  lirinë, dinjitetin dhe integritetin tonë kombëtar. Ismail Qemali dhe Isa Boletini, si dy figura qendrore të atdhedashurisë së pakufishme, na kujtojnë sot e çdo ditë mesazhin e unitetit kombëtar, të zemrës shqiptare, që rreh njëlloj si në Jug dhe në Veri, si në Vlorë edhe në Prishtinë. Secilit prej nesh këtu i jepet mundësia për të lënë gjurmën e vet në historinë tonë dhe për të lartësuar vlerat, mbi të cilat është ndërtuar kombi ynë. E sotmja,  mbi të gjitha, duhet të jetë një ditë reflektimi për ne, për misionin tonë dhe për trashëgiminë që do lëmë pas. Le të mendojmë të gjithë për këtë. Falënderime të përzemërta dhe urimet më të ngrohta për të gjithë shqiptarët, arbëreshët dhe miqtë tanë kudo janë! Gëzuar 110 vjetorin e Pavarësisë!”, tha Begaj.

FOTO GALERI
12/57

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA