Bandat në Ekuador bastisin spitalin teksa tentojnë të vrasin adoleshentin rival (video-foto)

28/11/2022 17:28

Policia në Ekuador ka arrestuar shtatë sulmues të armatosur që kishin bastisur një spital vendas me qëllim të vrisnin një adoleshent që po merrte trajtim aty.

Bandat kishin mbajtur peng infermieret dhe shkëmbyen zjarr me policinë, para se më vonë të arrestoheshin, thanë autoritetet.

Ata shtonin se të gjitha pengjet ishin liruar dhe asnjë nuk ishte plagosur.

Objektivi 17-vjeçar i sulmit të bandave, i njohur me pseudonimin “Fytyrë-pisëti”, besohet se është anëtar i bandave rivale dhe po kurohej në repartin e kujdesit intensiv për plagë armësh zjarri.

Sulmuesit mbajtën peng pesë anëtarë të stafit të spitalit për më shumë se një orë, shkruan e përditshmja vendase El Diario.

Video që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë burra të maskuar e të armatosur që hyjnë në spital dhe në një moment një grua që ulëret shihet duke dalë nga një prej dyerve.

Punonjës të tjerë të spitalit në Chone, në perëndim të Ekuador, thanë se ishin mbyllur në një dhomë teksa sulmuesit thyenin dyert në kërkim të objektivit të tyre.

“Me sa duket ata nuk e njihnin spitalin dhe po kërkonin në të gjitha dhomat”, tha punonjësi Homero Andrade, për rrjetin El Diario.

“Falë Zotit dhe policisë ne jemi ende këtu për të treguar historinë”, shtoi Andrade.


Presidenti i vendit Guillermo Lasso falënderonte policinë për ndërhyrjen e tyre dhe publikonte pamje të oficerëve të armatosur që hynin në ndërtesë para se të bënin arrestimet.

Dhuna e bandave në Ekuador është përshkallëzuar vitet e fundit, madje me taktika të rënda duke përfshirë prerje koke apo djegie me shumë viktima në burgjet famëkeqe të vendit.

Presidenti Lasso ka shpallur disa herë gjendjen e emergjencës që prej ardhjes në pushtet vitin e kaluar.

FOTO GALERI
1/2
Dhuna e bandave në Ekuador është përshkallëzuar vitet e fundit, madje me taktika të rënda

Top Channel