Në Vlorë, aty ku u ngrit flamuri i Pavarësisë 110 vite më parë, sot festojnë shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe kosovar janë bërë bashkë këtë 28 Nëntor dhe kanë ngritur flamurin kuq e zi në sheshin Pavarësia.

Pranë monumentit të Pavarësisë, vendosën kurora me lule edhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë Lindita Nikolla, Kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, drejtues të pushtetit vendor, si dhe qindra qytetarë të Vlorës dhe jo vetëm.

Qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Çamëria, të pranishëm në ceremoni urojnë në këtë vit Jubilar për 110-vjetorin e Pavarësisë.

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA