“U largova për të përfaqësuar kombin shqiptar”, Berisha: Rama i ka futur thika pas shpine Kosovës

27/11/2022 12:27

Ish-kryeministri, Sali Berisha la sallën, ku po zhvillohej mbledhja e përbashkët mes kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, në momentin që nisi fjalën kryeministri Edi Rama.

Ai shpjegoi se u largua nga parlamenti për të përfaqësuar kombin shqiptar dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët ndihen të tradhtuar nga kryeministri shqiptar.

Sipas Berishës, Rama i ka futur thika pas shpine Kosovës në mënyrë të vazhdueshme.

Berisha: Ju uroj shqiptarëve sot, gëzuar përvjetorin e pavarësisë, shpreh dhe përulem me nderimin më të madh përpara Ismail Qemalit, Ibrahim Rugovës dhe burrave të mëdhenj të botës që bënë të pamundurën që Shqipëria dhe Kosovës të jenë dy vende të pavarura. Një nderim i veçantë u përket atyre që derdhën gjak që sakrifikuan për lirinë dhe jetën që të jemi të pavarur. Asnjë komb nuk ka sakrifikuar për liri më shumë se shqiptarët. Nën udhëheqjen e komandantit Adem Jashari, shqiptarët kryen luftën e fundit në Europë dhe Kosova falë ndërhyrjes së NATO-s u bë e lirë.

Por, sot nuk mund të mos ndalem të theksoj se aktualisht, në platformën e këtij parlamenti, po flet njëri nga dy armiqtë kryesorë të qenies së shqiptarëve që nga themelimi deri më sot, një nga armiqtë më kryesorë ët Kosovës, njeriu i njohur botërisht si avokati më i shpifur i padronit të tij, Alekandër Vuçiç, njeriu që në vend që të bëjë avokatinë e Kosovës, të mbrojë interesat legjitime të saj, kalon nga samiti në samit duke lobuar për Vuçiçin dhe Rusinë e vogël në zemër të Ballkanit, Serbinë. Edi Rama ka futur thika pas shpine ndaj Kosovës në mënyrë të vazhdueshme. Ai u përpoq të zhbëjë arritjet e saj, përfshirë këtu edhe skenarët për ndarjen e saj me Aleksandër Vuçiç. Për të justifikuar vasalitetin ndaj Vuçiçit, ai kërcënon me luftën e Vuçiçit. Në të gjithë këto qëndrime, ai rezulton të jetë një antishqiptar i rrezikshëm për kombin shqiptar.

Berisha: Edi Rama nuk është vetëm vasali i neveritshëm i serbomadhit Vuçiç. Ai është njeriu që po shkatërron më shumë se kushdo tjetër, materien, qenien, identetitin kombëtar të shqiptarëve. Me politikat e tij, ai ka përzënë 27 përqind të popullsisë vetëm drejt BE, pa llogaritur në vendet tjera.

Në këtë kontekst ai meriton urdhrin e artë të Çubrilloviçit, ai ka zbatuar me përpikmëri platformën e tij për dëbimin e shqiptarëve. Ai është hajduti më i madh i të gjitha kohërave, tejkalon çdo hajni të kryer ndonjëherë, mjafton të kujtoj vjedhjen më të madhe që po bën ndonjëherë, atë të Portit të Durrësit.

Në këto rrethana, sot është një ditë kushtrimi për të gjithë shqiptarët, të qëndrojmë më shumë se kurrë të bashkuar kundër këtij armiku të egër të interesit kombëtar, kundër këtij armiku të egër të qenies kombëtare, kundër këtij armiku që po shpopullon dhe e shndërron Shqipërinë në kombin e gomoneve. Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë është një kushtrim për shqiptarët: në këmbë, në këmbë, në këmbë.

Berisha: Fakti që u largova nga parlamenti, u largova për të përfaqësuar kombin shqiptar, të gjithë qytetarët e Kosovës që ndjehen të tradhtuar nga një kryeministër shqiptar, u largova për të përfaqësuar ndjenjat e dhjetëra-mijëra familjeve shqiptare që kanë humbur familjet e tyre nga barbaritë serbe, dhe Edi Rama prej katër muajsh, nuk lejon votimin e rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. U largova për të përfaqësuar ata dhjetëra-mijëra shqiptarë qau larguan nga Shqipëria prej politikave çnjerëzore të Edi Ramës. Të gjitha këto janë arsyet që nuk mund të pranoja të dëgjoja ligjëratën e një njeriu, që pas Enver Hoxhës është armiku më i egër i kombit shqiptar.

FOTO GALERI
15/22

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA