Mbledhja Kosovë-Shqipëri, Balla: Do propozoja që takimi i radhës të jetë ne Prizren më 10 Qershor 2023

27/11/2022 11:53

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës propozoi që takimi i radhës të jetë ne Prizren më 10 Qershor 2023.

Balla deklaroi se nesër, me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë, një grup deputetësh do të shkojnë në Hagë për t’i uruar nga afër krerët e UÇK-së për Ditën e Pavarësisë.

Në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve Shqipëri-Kosovë, Balla u shpreh se “ndërsa ne i gëzoheshim fitores dhe shpalljes së pavarësisë, të tjerët, humbësit bashkë me aleatët e tyre u kujdesën mjeshtërisht që të njollosnin tinëz, luftën e ndritshme çlirimtare”.

“Sot, komandantët e UÇK-së mbahen të arrestuar, në të njëjtin burg, sikur ata që urdhëruan masakrat në Kosovë, Srebrenicë e gjetkë, mbi bazën e disa akuzave të paqena, të një raporti dhe një rezolute turpi, për ata që e shkruan dhe ata që e votuan”, tha ai.

Balla theksoi se shqiptarët i janë gjithmonë mirënjohës komunitetit ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë SHBA-ve, të cilët morën përgjegjësinë dhe na erdhën në ndihmë.

“Ndërhyrja e parë e plotë dhe e vetme deri më tani, ushtarake e NATO-s në tokën europiane, e njohu luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që solli si rezultat pavarësinë e Kosovës. Kjo po ishte Drejtësia që duhej vënë në vend. Lufta e Putinit në Ukrainë e ka futur Europën në një Epokë të re rreziku”, tha ai.

Balla shtoi se lufta e Putinit po risjell shumë analogji dhe një ndër to lidhet me me faktin se Rusia po flet njëlloj për trafik organesh njerëzore në Ukrainë.

“Duhet ta kishim mbrojtur dhe duhet ta mbrojmë legjitimitetin e luftës heroike të UÇK për çlirimin e vendit, dhe duke qenë të bindur se pavarësisht se nuk mund të vendosen paralele midis masakrave çnjerëzore, spastrimeve etnike, vrasjeve, përdhunimeve, dhe krimeve të luftës, nga drejtues dhe anëtarë të makinerisë zyrtare luftarake serbe dhe paramilitarët e saj gjatë luftës në Kosovë, nga njëra anë, dhe integritetit e kauzës së drejtë të luftës së UÇK si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë të popullit në Kosovë,nga ana tjetër, çdo dyshim për krime duhet zbardhur nga organet e drejtësisë sipas parimeve të procesit të rregullt ligjor, por se nuk mund të ketë çështje pafundësisht në hetim”, tha ai.

Balla theksoi se “çdo proces do duhet të mbarojë dikur, me qëllim që popujt të gjejnë forcën të pajtohen e jetojnë së bashku duke shëruar plagët e së shkuarës”.

“Nesër më 28 Nëntor, Adem Jashari do të festonte dy festa: 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjen e tij të 67. Unë nuk e di se çfarë do të donte të na thoshte, apo të na qortonte nëse do të ishte këtu mes nesh sot Adem Jashari. Ai nuk e jetoi dot lirinë, nuk e arriti dot çlirimin, nuk e gëzoi siç do donte ditën e pavarësisë së Kosovës edhe pse dha gjithçka për t’i mbërritur”, tha Balla.

Ai tha se “Kosovën, Bill Klinton do ta quante një fitore të paqes, një fitore për demokracinë dhe vlerat e saj duke nënvizuar se “edhe kombet e vogla” mund të fitojnë nëse e drejta qëndron pas tyre”.

“E ndërsa flasim për këto vlera nuk duhet të harrojmë faktin e njohur ndërkombëtarisht dhe meritën e veçantë të Presidentit Rugova, i cili demokracinë e ktheu në doktrinë të shpëtimit të Kosovës dhe Perëndimin në aleat të saj. Për çfarë do të na qortonte sot baca Adem? Ndoshta do të ishte dëshira e tij për të na parë më shumë së bashku, më shumë të integruar, më shumë të koordinuar, më shumë të bindur se liria e Kosovës ka qenë një ëndërr e madhe qysh prej Kongresit të Berlinit në shekullin e 19-të, të cilën e arritëm me aq shumë sakrificë dhe në aleancë me perëndimin”, tha ai.

Top Channel