Startop/ Dron për aviacionin civil, robot dezinfektues dhe një “smart home” që kontrollon shtëpinë nga celulari

26/11/2022 18:05

Disa shpikje interesante “Made in Albania”, pajisje ‘smart’ u prezantuan këtë të shtunë në “Startop”.

Albadron-i është një dron shqiptar që Adrian Haxhiaj synon ta përdorë në funksion të aviacionit civil.

Ideja ka qenë e thjeshtë, kemi krijuar një grup për autoritetet që merren me fushën e aviacionit civil. Ne fokusohemi te aviacioni civil. Për dronet duhet të krijohet një hapësirë që ata që e përdorin të jenë të koordinuar me autoritetet e aviacionit civil, që të dimë si të fluturojmë me dron që të jemi brenda rregullave”.

Amarda Toska nga “Ami Event” kishte dyshimet e saj për privatësinë. Sa të sigurt jemi ne, teksa përdorimi i dronëve shtohet gjithnjë e më shumë në vendin tonë?

“Sipas rregullatorit europian dhe shqiptar. Dronet më të vegjël janë deri në 249 gram, nëse janë më të mëdhenj duhet të regjistrohet. Por, nëse edhe këta që janë të vegjël kanë kamerë, duhet të regjistrohen. Ka disa zona ku nuk lejohet të filmohet me dron. Ka një lloj certifikate që të përcakton se si dhe ku mund të fluturosh. Pjesa juridike është shumë e rëndësishme”, u përgjigj Haxhiaj.

Eni Xhogu nga shkolla “Gjergj Canco” prezantoi që projekt që ka për qëlim që idetë kreative të nxënësve të kenë mundësi të dalin në treg. Në bashkëpunim me Akademinë e Inovacionit, ajo tha se kërkon që “idetë e të rinjve të dalin në treg përmes start up-eve”.

“Është për t’u përgëzuar. Unë kam qenë te shkolla, kanë laboratorë dhe ambiente të veçanta që i ndihmojnë të rinjtë”, u shpreh Antonela Hako nga kompania “Hako”.

Xhogu synon të marrë pjesë në konkurse kombëtare apo ndërkombëtare për t’u njohur më shumë dhe për të tërhequr bizneset.

Spac është një dezinfektues që punon në mënyrë autonome. Jusuf Rustaj prezantoi robotin dezinfektues që befasoi panelistët. Me ndihmën e fondeve të shkollës, ai ka krijuar këtë pajisje gjatë kohës së pandemisë së Covid 19 dhe synon ta nxjerrë së shpejti në treg.

Mirfat Saraçini prezantoi në Startop, “Smart Home”, me të cilën thotë se mund të kontrollohet nga telefoni çdo pajisë elektroshtëpiake në shtëpi.

“Ideja lindi në bazë të materialeve që nevojiteshin. Pasi i gjeta, zhvillova idenë time. Mund të komandojmë të gjitha pajisjet elektroshtëpiake me ‘bloototh’ nga telefoni”, thotë Mirfati.

Imagjinoni të shkoni në shtëpi pas një ditë të gjatë dimri dhe të doni të qëndroni ngrohtë. Me këtë shpikje, mund të ndizni ngrohëse para se të shkoni në shtëpi dhe kur të mbërrini, ju pret një ambient i ngrohtë.

Bendis Druni, pasionin dhe dashurinë për veriun e Shqipërisë e ka përcjellë në web site-n “Magjia e Veriut në një klik”.

Ajo thotë se nuk ka asnjë përfitim financiar, por synon vetëm “përfitime shpirtërore”:

“Nuk jemi agjenci turistike por ndihmojmë të huajt që të gjejnë destinacionet dhe i vëmë në kontakt me mjetet me të cilat do të udhëtojnë apo bujtinat ku do të qëndrojnë”.

Top Channel