Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka njoftuar të shtunën se ka nisur masa disiplinore ndaj Federatës Serbe të Futbollit për varjen e një flamuri me përmbajtje politike në raport me Kosovën në dhomat e zhveshjes përpara se të luante të enjten me Brazilin në Kupën e Botës në Katar.
Flamuri i Serbisë i vendosur në dhomat e zhveshjes përfshinte hartën e Kosovës me sloganin “Nuk ka dorëzim”. Në fotografitë e publikuara nga dhomat e zhveshjes shihej se flamuri ishte vendosur mbi dollapët e lojtarëve, Milos Veljkoviç dhe Andrija Zivkoviç, përpara humbjes 2 me 0 të përfaqësueses së Serbisë ndaj Brazilit.
Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, e përshkroi imazhin si veprim i përfaqësueses së Serbisë për të përdorur Kupën e Botës për të promovuar “mesazhe urrejtjeje, ksenofobie dhe gjenocidale”.
FIFA citoi një pjesë të kodit të saj disiplinor që mbulon sjelljen e pahijshme, duke përfshirë “gjestet, shenjat ose gjuhën fyese” dhe “përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrime të një natyre josportive”. Radio Evropa e Lirë shkruan se nuk u dha një afat kohor se kur do të merret vendimi, megjithëse Serbia do të luajë të hënën kundër Kamerunit.
Që kur Kosova u anëtarësua në FIFA dhe UEFA në vitin 2016, trupa evropiane e futbollit është siguruar që të mos bien ë të njëjtën grup me Serbinë ose Bosnjë Hercegovinën, për shkak të sigurisë.
Më 25 nëntor, Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se ka paraqitur ankesë në FIFA për veprimin e ekipit kombëtar të Serbisë.
“Akte të tilla shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK si anëtare e barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore”, u tha në njoftimin e FFK-së.
Federata e Futbollit e Kosovës kërkoi nga FIFA që veprimi i ekipit serb në Katar të mos kalohet pa masa ndëshkimore, pasi siç u tha, kampionati botëror i futbollit “duhet të jetë vend i mbizotërimit të thirrjeve për paqe, e jo të përdoret për të nxitur urrejtje mes popujve”.
Disgraceful images from #Serbia locker room, displaying hateful, xenophobic and genocidal messages towards #Kosova, while exploiting #FIFAWorldCup platform.
We expect concrete actions from @FIFAcom considering that the @FFK_KS 🇽🇰 is a full FIFA and UEFA member. pic.twitter.com/xwu6i0j7dG
— Hajrulla Çeku (@HCeku) November 25, 2022
Top Channel