Ish-kryeministri i Pakistanit mban mitingun e parë që prej plagosjes në atentat tre javë më parë (fotot)

26/11/2022 17:34

Kryeministri i larguar i Pakistanit, Imran Khan ka folur sot para dhjetra mijëra mbështetësve të tij, në daljen e parë publike që prej plagosjes në atentat tre javë më parë.

Turmat ishin mbledhur për mitingun në Rawalpindi, me flamurë e pankarta.

Ish-kampioni i sportit më popullor në Pakistan, kriketit, nxiti mbështetësit e tij të jetojnë ‘pa frikë nga vdekja’.

Një person u vra dhe disa të tjerë u plagosën në sulmin e fillimit të muajit ku Khan iu bë atentati famëkeq teksa mbante një miting.

Ish-kryeministri u plagos në këmbën e djathtë, ndërsa akuzat për përgjegjësinë janë këmbyer mes tij dhe pushtetit aktual, pa asnjë rezultat konkret.

Sot Khan përmendi se “tre kriminelë” po prisnin për të bërë një tjetër tentativë kundër jetës së tij.

“Por është pikërisht frika që e kthen një komb të tërë në skllevër, prandaj nuk duhet të trembemi nga kërcënimet apo dhuna”, u tha ai mbështetësve të tij të entuziazmuar.

Mitingu i sotëm u zhvillua në Rawalpindi – ku ka qenë tradicionalisht qendra e ushtrisë së plotfuqishme të vendit, e cila eshte kritikuar shpesh nga Khan.

Eventi përshkruhej gjithashtu si kulminimi i “marshimit të protestave” të Khan ku ai kërkon zgjedhje të parakohshme përkundër largimit të padrejtë nga pushteti me votë mosbesimi.

Khan mbetet një politikan popullor në vend dhe në mitingjet e tij kanë dalë numra të mëdhenj njerëzish.

Qeveria thotë se zgjedhjet do të mbahen vitin që vjen sipas parashikimit.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA