Viktor Cervanakut është pronari i shtëpisë ku u gjet një sasi e konsiderueshme kokaine gjatë së enjtes.

Një ditë pas operacionit, Top Channel sjell pamjet nga shtëpia ku lënda narkotike u gjet e fshehur mes thasëve me pleh kimik në fshatin Frakull e Madhe në Fier. Plehu kimik ku dyshohet se ishte tretur kokaina ishte vendosur në oborrin e banesës mbi disa pllaka guri dhe i mbuluar me qese plastmasi.

Banesa është e rrethuar e gjitha me një mur rreth 2 metra dhe e siguruar me dy porta, të cilat kanë një mekanizëm elektronik për t’u hapur. Ajo që bie në sy është fakti që banesa dhe ambienti përreth saj nuk ka kamera sigurie. E vetmja kamerë ndodhet te citofoni pranë hyrjes së shtëpisë.

15 persona janë arrestuar deri tani, sipas gazetares Anila Hoxha. Arrestime ka edhe në Mal të Zi, për persona të përfshirë në trafikun e kokainës.

Sipas informacioneve, ngarkesa e drogës ka ardhur nga Kolumbia, ka mbërritur në Portin e Tivarit dhe në fund në Fratar të Fierit.

Ngarkesa ishte sjellë prej kohësh, ndërsa SPAK vëzhgoi e përgjoi për të identifikuar rolin e secilit që është i përfshirë.

Në operacionin e vëzhgimit sekret gjatë këtyre tre muajve, kanë qenë të angazhuar 60 oficerë të Policisë së Shtetit. SPAK ka regjistruar procedimin dhe ka marrë autorizimet për t’i kthyer në prova ligjore, pas angazhimit edhe të OPGJ-së dhe të Forcave Operacionale Speciale të Policisë së Shtetit.

Top Channel