India goditet sërish nga femicidi në vrasjen makabre ‘të ngrirëses’ (fotot)

25/11/2022 17:35

Policia në kryeqytetin indian Delhi, kanë arrestuar një burrë, Aftab Poonawala i akuzuar për vrasjen e partneres me të cilën jetonte prej tre vjetësh, në femicidin më të fundit që shokon sërish vendin.

Autoritetet thonë se Poonawala ka vrarë 27-vjeçaren Shraddha Ëalkar mnë maj, ka copëtuar trupin e saj në shumë pjesë, i ka mbajtur në frigorifer dhe i ka shpërndarë në pjesë të ndryshme të qytetit për të zhdukur gjurmët e krimit, në një djallëzi të padëgjuar më parë në vend.

Poonawala nuk ka bërë ende deklarata por kishte thënë në gjykatë se “informacionet e shpërndara për mua nuk janë korrekte” dhe se ai “ka bashkëpunuar me hetimet e policisë”.

Vdekja e të resë u evidentua vetëm javës që shkoi kur babai i të ndjerës e raportoi atë të humbur.

Prej atëherë detaje monstruoze të vrasjes vijojnë të bëhen publike në mediat indiane, sipas copëzave të informacionit të dhëna nga policë të paemëruar, apo dhe gazetarë.

Krimi është quajtur ndryshe “vrasja e ngrirëses” dhe ka shkaktuar protesta në rrugë ku demonstruesit kanë djegur kukulla me formën e vrasësit, duke kërkuar dënimin maksimal për të.

Por avokatë e ish-oficerë policie kanë shprehur shqetësim për mbulimin e gjerë të makabriteteve nga media, për të cilin studiues thonë se hap një “dritare Overton-i” që mund të normalizojë akte të tilla, në një kohë kur njerëzit duhet të luftojnë për t’i mbajtur larg publikimit.

Vikram Singh, ish-drejtor i policisë së Uttar Pradesh, e quante mbulimin e medias “shumë të papërgjegjshëm”.

“Një koment i tillë i përditshëm është i dëmshëm për hetimin, tregon mungesë respekti për të ndjerën dhe për publikun”, tha ai.

Walkar dhe rvasësi Poonawala jetonin në të njëjtën zonë në Mumbai por ishin njohur në një rrjet njohjesh të reja.

Marrëdhënia e Walkar me familjen ishte e tensionuar pasi ata nuk aprovonin lidhjen e saj me vrasësin Poonaëala.

Por çifti nisën të jetonin bashkë prej 2019 dhe u vendosën në Delhi sivjet duke marrë një apartament me qira në zonën Chhatarpur Pahadi.

Zyrtari i policisë Ankit Chauhan tha për rrjetin vendas ANI, se dyshja konfliktoheshin shpesh por vajza Shraddha nisi të kërkonte që Poonawala të martohej me të dhe “më 18 maj ai humbi mendjen dhe e mbyti”.

Babai i të ndjerës Walkar kishte kontaktuar policinë e Mumbai kur miqtë i thanë se kishin muaj pa dëgjuar nga e bija.

Pak pas arrestimit, policia tha se Poonawala pranoi krimin dhe u kishte dhënë oficerëve disa prova.

Gjyqi pritet të zhvillohet së shpejti.

FOTO GALERI
1/5
Autoritetet thonë se 27-vjeçarja Shraddha Walkar u vra në maj

Top Channel