Xhaferaj kërkon llogari për përmbytjet, Rama krahason shifrat me 2010-tën: Ajo ishte përmbytje e robit, jo e zotit!

24/11/2022 11:57

Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama pas përmbytjeve në tre qarqeve të vendit nga reshjet e dendura të shiut.

Deputeti Ferdinand Xhaferraj ishte i pari që mori fjalën, duke kërkuar nga qeveria që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në zonat të cilat kanë pësuar dëme të mëdha nga përmbytja e tokave dhe banesave, në Shkodër, Lezhë dhe Durrës.

Me tetë pyetje drejtuar kryeministrit, Xhaferraj tregoi edhe video nga viti 2010 kur në kohën e përmbytjeve të asaj kohe, kur Edi Rama i kërkonte llogari qeverisë Berisha.

Kryeministrit i kërkojmë të japë përgjigje për disa pyetje që kanë interes për ne si deputete të opozitës dhe për qytetarët shqiptarë: 1. A kishte informacione dhe të dhëna qeveria shqiptare lidhur me reshjet e pritshme të datës 20 Nëntor e në vijim?2. Nëse po, cilat ishin masat e marra nga qeveria për të siguruar jetën, shëndetin dhe pronat e qytetarëve tanë? 3. A u bënë shkak për përmbytjen e zonave të nën-Shkodrës hapja e portave dhe shkarkimet e hidrocentraleve të Komanit dhe Vau Dejësit, siç deklaroi prefektja e qarkut Shkodër, Znj. Angoni? 4. Pse nuk u lajmëruan familjet që prekeshin nga përmbytjet si rezultat i shkarkimeve të hidrocentraleve që të merreshin masat e nevojshme, përfshirë evakuimin e banorëve dhe gjësë së gjallë?   5. A ka filluar një vlerësim paraprak i dëmeve  të shkaktuara dhe a mund te kemi një informacion?  6. Ministri i Mbrojtjes, z. Peleshi ka përsëritur disa herë që qeveria iu ka akorduar bashkive një fond prej 10 mln dollarë për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. A është ky fond i mjaftueshëm për përballimin e dëmeve të shkaktuara?  7. Cilat janë investimet konkrete që qeveria shqiptare ka kryer në këto 9 vite për parandalimin e përmbytjeve në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës?  8. A ka vlerësuar qeveria shqiptare mundësinë e transferimit të banorëve, të cilët jetojnë në zona të rrezikuara nga përmbytjet, në zona më të sigurta?”- tha ndër të tjera Xhaferraj.

Në përgjigje të pyetjeve, Rama tha se gjendja në ato zona nuk është e tillë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Teksa krahasonte shifrat me 2010-tën, Rama tha se përmbytjet e këtyre ditëve në Shkodër nuk kanë lidhje me kaskadën. Kreu i qeverisë tha se nga 6 mijë banesa të prekura para 12 vitesh, këto ditë u prekën vetëm 30 banesa në Shkodër.

Gjendja e emergjencës ka një kuadër të plotë ligjor, që nuk kanë asnjë lidhje me situatën aktuale. Janë faktet që flasin qartë. Si rezultat i administrimit të Kaskadës, pikërisht për ta ilustruar sinkronin, do them pse i qëndroj atyre që kam thënë. Po i referohem shifrave të bashkisë Shkodër, që dihet se nuk influencohet nga qeveria. Në atë kohë kur unë kam thënë atë, janë përmbytur 25 mijë e kusur hektarë vetëm në Shkodër. 14 mijë kanë futur brenda edhe qytetin e Shkodrës në atë kohë, mund t’i referoheni pamjeve. 1458 ka qenë këtë herë, nuk ka lidhje me kaskadën, zero dhe 4 mijëshi është bashkë me Lezhën. Në Durrës ka pasur një pasqyrë të qartë që shikohet sa herë vjen i njëjti test, puna këmbëngulëse e bashkisë. Bashkia Shkodër ka punuar rregullisht. Ka një problem me disa pika që janë nën kuotë. A mendon qeveria t’i spostojë këta njerëz, kjo vlen për shumë pika, por kjo nuk bëhet a mendon qeveria, por duke bashkëpunuar të gjithë së bashku. Për të ardhur te shtëpitë, banorët e prekur 68 mijë banorë të prekur në kohën që është nxjerrë ai sinkroni im, ndërkohë 130 qytetarë të evakuuar tani. E fundit për banesat. Ne kemi pasur shumë më tepër përmbytje, në kohën kur përmbytjet ishin gjë e rrallë. Që të kthehemi sërish, ka përmbytje e përmbytje. Ajo ishte përmbytje e robit jo e zotit, janë edhe të dhënat. Uji në përmbytjen e atëhershme vaji deri në çati dhe preku sipas bashkisë, mbi 6 mijë shtëpi, ndërsa këto ditë ka pasur 30 banesa. Nëse unë e marr kamerën e Iphonit e fus në një vrimë të vogël me ujë, mund të stimuloj një përmbytje globale po të dua, por e vërteta është ndryshme. Për këto flet bashkia e Shkodrës, e cila nuk drejtohet nga PS, por nga ajo që diku quhej PD“- tha Rama ndër të tjera.

Top Channel