Përplasje në kuvend për portin/ Opozita bllokon foltoren, ndërpritet seanca. Fjalimet “online”

24/11/2022 15:09

Diskutimi i kontratës mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë Emaar për transformimin e portit të Durrësit e futi parlamentin në kaos.

Sali Berisha iu rikthye aksioneve politike me bllokimin e foltores së parlamentit. Pasi iu ndërpre fjala, zoti Berisha i rrethuar nga punonjësit e Gardës, nisi transmetimin e fjalës live në Facebook.

Sali Berisha e quajti kontratën, si plaçkitja më e madhe në historinë e Shqipërisë.

Sali Berisha: Rama do ta kthejë në pronë personale Portin e Durrësit. Kjo është një Megaaferë që shkel Kushtetutën e pasuron Edi Ramën. Doni të varrosni Portin e Durrësit duke e shndërruar në pronë private të Ramës dhe ndonjë arabi. Tek porti marinës do të përfundosh dhe s’do dalësh kurrë nga burgu.

Taulant Balla kreu grupit parlamentar socialist i tha Sali Berishës se ai është një tragjedi për kuvendin dhe se Berisha është  përfaqësues i Putinit në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama akuzave të Sali Berishës, u dha këtë përgjigje.

Edi Rama: Sha e mallko, duke përzierë çdo projekt me punët e tyre të ndyra. 3 vite lutje ecejake te princi i kurorës për të investuar në Shqipëri. Emisione të panumërta bindëse për Shqipërinë me Alabbar për investime. Takime të përbashkëta me Emiratet, puna e një batalioni me njerëz për formatin e bashkëpunimit, për një port spektakolar për Mesdheun. Ky është investimi më i madh i rajonit.

Kryeministri kundërshtarëve të projektit u tregoi disa foto aktuale nga porti Durrësit e u shpjegoi me shifra përfitimet ekonomike.

Edi Rama: Janë pranuar 5 nga 33 kërkesa të investitorit. Do ta impaktojë GDP të vendit 1.2-1.8% të GDP-s Republikës së Shqipërisë. Motor ekonomik 8 miliard euro prodhimit kombëtar.

 

Top Channel