48 vetë dënohen me vdekje për linçimin e burrit që turma akuzonte për zjarrvënie në pyllin algjerian (fotot)

24/11/2022 19:58

Një gjykatë në Algjeri ka dhënë sot (e enjte) dënim me vdekje për 48 persona që u shpallën fajtorë për vrasjen kolektive të një burri të cilin e akuzonin gabimisht se kishte ndezur zjarre pyjore në verën e 2020.

Vdekja e Jamal Ben Ismail, i cili ishte artist e kengetar dhe kishte shkuar në rajonin Kabylie pranë kryeqytetit Algjer për të ndihmuar zjarrfikësit, tronditi asokohe vendin.

Zjarret shkatërrimtare në 2021 në Algjeri lanë dhjetra njerëz të vdekur dhe shkatërruan komunitete të tëra.

Autoritetet nuk kishin asokohe shpjegime për nisjen e zjarreve dhe thanë se ishin ndezur qëllimisht, pa dhënë shumë detaje. Kjo shkaktoi shumë incidente teksa njerëzit e tronditur kërkonin kudo hakmarrjen e konceptuar.

Kur shkoi në Kabylie, Ben Ismail u ndalua nga dhjetra të rinj nga Larbaa Nath Irathen dhe sipas dëshmive të prezantuara në gjyq, u dogj i gjallë si përgjegjës per zjarret.

Gjykatësit dënuan gjithashtu 37 njerëz të tjerë me nga 10 vjet burg ndërsa 17 të akuzuar të tjerë u lanë të lirë.

Dënimet me vdekje në Algjeri shpesh konvertohen në dënime të përjetshme nga apeli, teksa në vend nuk janë kryer më ekzekutime që prej viteve 1990-të, gjatë luftës civile ku u vranë mijëra njerëz.

Rajoni Kabylie ka qenë prej kohësh një pikë e nxehtë rezistence edhe në vitet 1990, dhe mbetet një pikë delikate prej kërkesave vendore për më shumë përfaqësim të kulturës dhe gjuhës lokale.

FOTO GALERI
1/3
Një gjykatë në Algjeri ka dhënë sot (e enjte) dënim me vdekje për 48 persona që u shpallën fajtorë për vrasjen kolektive të një burri të cilin e akuzonin

Top Channel