Deri në vitin 2030 faturat e ujit do të rriten gati me 75%.
Kështu thuhet në strategjinë kombëtare të ujësjellës kanalizimeve, ku brenda një periudhe 11 vjeçare, investimet do të jenë në vlerën e 1.2 miliard lekeve, për të siguruar ujë 24 orë.
Këto janë shifrat e strategjisë së qeverisë për furnizimin me ujë të pijshëm dhe që ka nisur prej vitit 2019. Sipas saj kostot do të financohen përmes fondeve të mbledhura nga taksat kombëtare, rajonale dhe lokale.
Nga tarifat e konsumatorit që përbëjnë dhe burimin më të qëndrueshme të financimit të sektorit si dhe përmes transfertave, pra grandet nga burimet e huaja. Shpërndarja e burimeve të financimit do të jetë 25% për taksat, 30% për transfertat dhe 45% për tarifat.
Në dokument theksohet se aktualisht, situata financiare në shumë shoqëri është e pakënaqshëm pasi të ardhurat e tyre nuk mbulojnë as shpenzimet direkte të operimit ndaj është e nevojshme që çdo shoqëri ujësjellësi të mbulojë të paktën kostot direkte operative, por edhe amortizimin dhe pagesat e interesit në rastet kur ato mund të kenë përfituar grante dhe hua për investime.
Gati gjysma e investimit ose 570 milionë euro, do të sigurohet nga faturat që do paguajnë direkt qytetarët për ujin e pijshëm. Por edhe pjesa tjetër paguhet prej tyre por në formë indirekte. Për këtë arsye parashikohet që çmimi i ujit të rritet mesatarisht në gjithë vendin me 75 përqind.
Pas shumë premtimeve për ujë 24 orë, ende shumë familje shqiptare në fshatra apo qytete e kanë ujin burim jete të paktë. Ujit me orare, ujit me depozita e me fuçi do ti shtohet dhe rritja e çmimit me arsyetimin se financat e sektorit të ujësjellësit janë të pakënaqshme dhe të pamjaftueshme. Forcimi i një institucioni duket se do të rëndojë më shumë në xhepat e shqiptarëve.
Top Channel