Në Gjirokastër reshjet e shiut kanë riaktivizuar rrëshqitjet e dherave në disa zona problematike.
Rruga kryesore që përshkon lagjen Kodra e Shtufit është shembur në pjesën e nën tabanit të saj duke kërcënuar qëndrueshmërinë. Shërbimi gjeologjik kombëtar vlerësoi se situata është problematike dhe e paqëndrueshme për shtratin e rrugës por nuk kërcënohen banesat.
Adem Draci tha se fenomeni i rrëshqitjes do të ndiqet hap pas hapi për të parandaluar dëme të mëtejshme.
Rrëshqitja ka ndodhur pikërisht në zonën kur 3 vite më parë një pallat u përfshi nga dheu dhe një numër banesash u kërcënuan.
Gjendja u stabilizua në atë kohë me një mur vertikal betoni por raporti gjeologjik e kishte përcaktuar më parë zonën si të papërshtatshme për ndërtime.
Rruga përshkohet çdo ditë nga rreth 100 mjete ndërsa lagjja është një prej zonave më të populluara në qytet.
Dy zonat e tjera të rrëshqitjeve tipike në Gjirokastër ajo e lagjes Punëtore dhe godinave tradicionale në lagjen Cfakë janë tani të stabilizuara.
Nëse situata e reshjeve do të vijojë të jetë intensive ka të paktën tri zona të tjera në të gjithë rrethin që kërcënohen prej rrëshqitjeve.
Top Channel