Dy aleatët opozitar Sali Berisha e Ilir Meta kanë zhvilluar sot një tjetër takim në selinë blu.
Mëngjesin e sotëm, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është parë sërish të ngjisë shkallët e PD, për një takim me aleatin e tij, Sali Berisha në zyrën e këtij të fundit.
Detajet e bisedës, ish kryeministri Berisha i zbuloi përmes një postimi në rrjete sociale
“Sot, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të PD z. Flamur Noka, zhvilluam një takim me kryetarin e Partisë së Lirisë, ish Presidentin Ilir Meta dhe n/Kryetarit të kësaj partie, Dr. Petrit Vasili.
Në këtë takim u diskutua gjerësisht për koordinimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për mbrojtjen e interesave të qytetarëve shqiptarë nga regjimi i Edi Ramës.
Bashkëpunimi elektoral, parlamentar dhe në të gjitha fushat ishin çështje për të cilat u diskutua me frymë të plotë mirëkuptimi.”- shkruan Berisha në facebook.
Takimi vjen pak ditë pasi Sali Berisha shpalli datën e dytë të protestës kombëtare, e planikuar më 6 dhjetor, pikërisht ditën kur është parashikuar të mbahet në Tiranë Samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor. Ndërsa vetë kreu i Partisë së Lirisë ende nuk e ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me pjesëmarrjen në këtë protestë.
Sakaq, takimi vjen një ditë para seancës plenare ku pritet të miratohet buxheti 2023 si edhe marrëveshja për Portin e Durrësit, ku dy aleatët opozitarë pritet të rakordojnë qëndrimet e tyre.
Top Channel