Një grup pro-Kremlinit ka marrë përgjegjësinë për një sulm kibernetik ndaj faqes së internetit të Parlamentit Evropian pasi ligjvënësit e tij e përcaktuan Rusinë si sponsor shtetëror të terrorizmit, tha presidentja e këtij institucioni të mërkurën.
“Parlamenti Evropian është nën një sulm të sofistikuar kibernetik. Një grup pro-Kremlinit ka marrë përgjegjësinë”, tha Roberta Metsola në rrjetin social, Twitter.
“Ekspertët tanë të Teknologjisë Informative po e kundërshtojnë atë dhe po mbrojnë sistemet tona. Kjo ndodhi pasi ne e shpallëm Rusinë si shtet-sponsor të terrorizmit. Përgjigja ime: lavdi Ukrainës”, shkroi ajo në Twitter.
Sot ligjvënësit evropianë votuan për ta shpallur Rusinë si sponsor shtetëror të terrorizmit, duke argumentuar se sulmet ushtarake të Moskës ndaj objektivave civile si infrastruktura energjetike, spitalet, shkollat dhe vendstrehimet shkelin ligjin ndërkombëtar.
Masa është kryesisht simbolike, pasi Bashkimi Evropian nuk ka një kuadër ligjor për ta mbështetur atë. Në të njëjtën kohë, blloku evropian tashmë ka vendosur sanksione të paprecedentë ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.
“Funksionimi i faqes së internetit “@Europarl_EN” aktualisht po pengohet nga jashtë… Kjo lidhet me një sulm “DDOS” që e pamundëson shërbimin”, tha zëdhënësi i parlamentit Jaime Duch në një postim në “Twitter”.
Sulmet e tilla kryhen duke rritur tej mase vizitat në faqe interneti me qëllim që t’i bllokojnë ato.
Pasi Parlamenti Evropian e miratoi rezolutën që e shpalli Rusinë si sponsor shtetëror të terrorizmit, Moska reagoi me zemërim ndaj rezolutës së Parlamentit Evropian.
“Unë propozoj përcaktimin e Parlamentit Evropian si sponsor të idiotësisë”, shkroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në rrjetin social, “Telegram”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera që ta shpallin Rusinë një sponsor shtetëror të terrorizmit, duke akuzuar forcat e saj për vënien në shënjestër të civilëve, gjë që Moska e mohon.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken deri më tani ka refuzuar të bëjë këtë, pavarësisht rezolutave në të dy dhomat e Kongresit që i kërkonin të njëjtën gjë.
Departamenti Amerikan i Shtetit aktualisht ka shpallur Kubën, Korenë e Veriut, Iranin dhe Sirinë si sponsorë shtetërorë të terrorizmit, që do të thotë se ato i nënshtrohen ndalimit të eksporteve të mbrojtjes dhe kufizimeve financiare.
Në BE, parlamentet e katër vendeve deri më tani e kanë përcaktuar Rusinë zyrtarisht si sponsor shtetëror të terrorizmit: Lituania, Letonia, Estonia dhe Polonia.
Top Channel