Falë teknologjisë së re të të ADN-së,pothuajse 40 vjet pas sulmit të tij të parë, policia australiane ka identifikuar një përdhunues serial që terrorizoi Sidnein për tre dekada.
Keith Simms shënjestroi 31 gra midis viteve 1985 dhe 2001, duke hyrë në shtëpitë e tyre dhe duke i sulmuar ato. Detektivët fillimisht besuan se disa burra të ndryshëm fshiheshin pas sulmeve.
Hetuesit, falë teknologjisë së fundit tani i kanë lidhur të gjitha ngjarjet me Simms, i cili vdiq në moshën 66-vjeçare në shkurt.
I njohur në periudha të ndryshme si “Bisha Bondi” ose “Përdhunuesi me kostum sportiv”, Simms sulmoi për herë të parë në periferinë bregdetare të Clovelly në 1985. Sulmi i tij i fundit ndodhi në një varrezë vitinnë 2001. Çdo incident u hetua individualisht në atë kohë, por policia filloi t’i lidhte ato në vitet 2000.
ADN-ja e 12 prej viktimave ishte e njëjtë dhe 19 incidente të tjera përputheshin me mënyrën e veprimit të sulmuesit. Gratë, të cilat ishin të moshës nga 14 deri në 55 vjeç, të gjitha dhanë përshkrime të ngjashme të sulmuesit të tyre.
Ai ishte 160 deri në 180 cm i gjatë, kishte një ngjyrë të errët, sy kafe dhe një hundë të gjerë. Ai e mbante fytyrën të mbuluar dhe vishte rroba të rastësishme, si tuta, kapuç apo pantallona të shkurtra futbolli. Ai ose i kërcënoi viktimat e tij me thikë, ose i bëri të besonin se kishte një të tillë mbi vete.
Në vitin 2019, hetuesit patën një përparim, duke gjetur një përputhje familjare të ADN-së në bazën e të dhënave të policisë, e cila ngushtoi grupin e të dyshuarve në 324 persona. Në shtator, një mostër nga Simms u zbulua se ishte një përputhje e përsosur me ato të marra nga viktimat.
Top Channel