Durrësi vuan nga përmbytjet/ Bllokohen rrugët! Uji mban rrethuar shtëpinë në zonën e ish Kënetës

22/11/2022 19:53

Era e fortë dhe reshjet e herëpashershme të shiut kanë karakterizuar edhe këtë të martë në Durrës.

Zona problematike vazhdojnë të ngelen lagjet periferike ku banorët po përballen me pasojat. Përveç zonës së ish-kënetës dhe Porto Romanos, edhe zona e plazhit përballet me mjaft probleme.

Uji ka vështirësuar lëvizjen e banorëve dhe ka depërtuar në garazhe e një pjesë e bizneseve kanë ulur qepenat dhe kanë ndërprerë aktivitetin.

Aty ku uji nuk është tërhequr vetë kanë ndërhyrë shërbimet e zjarrfikësve dhe ujësjellës kanalizimeve për të tërhequr ujin me pompa nga rrugët, banesat dhe bizneset për të kthyer normalitetin.

Çlirimi dhe Sonila janë prindër të katër fëmijëve të mitur të cilët që kur uji u depërtoi në banesë nuk kanë dalë në punë.

Ata e sigurojnë jetesën duke mbledhur kanaçe. Situata e shkaktuar nga kushtet atmosferike i ka detyruar të mos dalin në punë dhe as të dërgojnë fëmijët në shkollë.

Ndërkohë në zonën e plazhit, prej ditësh, një nga akset kryesore, ai Plepa-Durrës në zonën e plazhit ndodhet nën ujë.

Uji nuk është tërhequr duke u kthyer në pengesë për automjetet e shumta që lëvizin në këtë aks.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA