“Shkodrën e mbyti Balluku”/ Ish kryeministri: I kishte sytë te paratë! Importonin dhe shkarkonin ujin e HEC

21/11/2022 19:53

Përmbytjet në zonën e Shkodër  sipas Sali Berishës nuk erdhën nga dora e Zotit,  por nga dora e njeriut.

Mes njerëzve të cilët uji u ka vërshuar në banesat e tyre, kryedemokrati   akuzoi  drejtpërdrejt  ministren e Infrastrukturës  dhe e Energjisë, Belinda Balluku për përmbytje te qëllimshme.

BERISHA: Nga mbrëmë deri pak më parë kanë derdhur nga porta e Zadejës, 2000  metër kub , 1 mijë e 3 apo 400 në turbinë, ndaj është bërë kjo përmbytje me të paktën 3 mijë e 800 metër kub shkarkime të gjitha kriminale sepse ishin të parandalueshme. Hapen portat pa njoftuar , tamam hajdutët që veprojnë në errësirë, se  nuk e ndërpresin importin dhe  duhet të derdhin  ujërat. Belinda Balluku  e ka mendjen të shfrytëzojë energjinë për të vjedhur. Ndërkohë që importonin energji, e kishin bllokuar prodhimin e energjisë, tani del e thotë se e bëra  që të shtojmë rezervat. Por ku i  pate sytë ti kur të dhënat  dëshmojnë se  do kishe reshje të jashtëzakonshme, i kishte sytë te paratë që do vidhnin  sepse kanë prokuruar  për të importuar nga datat  14 gjeri më datën 20 nëntor 10 milion euro energji elektronike nga të cilat së paku 5 milion I fusin në xhep, ndaj dhe sot janë mbi 2. 500 hektarë të mbytura, në të gjithë territorin e Shkodrës. 

Sali Berisha denoncoi  shitjen e energjisë nga shtetit shqiptar më lirë nga se e blen.

BERISHA: Kjo ishte e parashikueshme dhe e ndalueshme nëse do prodhohej energji dhe do ulej niveli  Komanit dhe Vaut të Dejës, dhe energji s’kishte nevojë të blihej , tani po shesin energji me çmim katër herë më të ulët se atë që po blejnë  se i kanë kontratat. janë verbuar dhe tërbuar.

Pas raportimeve që mori edhe  nga kryebashkiaku i tij , Berisha doli ne konkluzionin se  situata me te cilët përballen sot shkodranët  është krim në bashkëpunim, pasi Korporata Elektronenergjetike nuk njoftoi asnjë zyrtar lokal  për pasojat  katastrofale që do kishin  nga  shkarkimi i ujit.

Top Channel