Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim zhvilloi sot një takim me Shefin e Shtabit të Ushtrisë, gjeneralin Arben Kingji.
Ata ranë dakord që të rrisin bashkëpunimin në vazhdim të stërvitjes historike “Defender Europe 2021”.
Pjesë e diskutimit u bë edhe situata e përmbytjeve në vend, ku gjenerali Kingji shprehu vlerësimin për kontributin e SHBA-së në trajnime, pajisje dhe furnizime të tjera, ndërsa Kim rishprehu gatishmërinë e SHBA-së për të ofruar mbështetjen e nevojshme.
“Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Gjeneral Brigade Arben Kingji për herë të parë në cilësinë e Shefit të Shtabit të Ushtrisë për të forcuar marrëdhëniet e mbrojtjes SHBA-Shqipëri. Ata ranë dakord të rrisin bashkëpunimin në vazhdim të stërvitjes historike Defender Europe 2021 dhe në përgatitje për stërvitjet e ardhshme Defender Europe 2023. Të dy diskutuan ndikimin pozitiv të selisë së Komandës së Forcave Operacionale Speciale të SHBA (SOCEUR) në Shqipëri dhe aktivitetet e Brigadës së Forcave të Sigurisë dhe të Ndihmës së Ushtrisë së SHBA (SFAB). Ata diskutuan gjithashtu përgjigjen ndaj përmbytjeve shkatërruese në veri, me gjeneralin Kingji që shprehu vlerësimin për kontributin e SHBA në trajnime, pajisje (përfshirë automjetet e urgjencës dhe gomone) dhe furnizime të tjera, dhe ambasadoren Kim që përsëriti gatishmërinë e SHBA për të ofruar mbështetjen e nevojshme”, sipas njoftimit të ambasadës amerikane.
Top Channel