Një studim i ri pretendon të hedhë dritë mbi vdekjen e heroit kinematografik të arteve marciale Bruce Lee, i cili në vitin 1973 pësoi një oedema cerebrale (enjtje të trurit) fatale.
Gjendja që i shkaktoi vdekjen 32 vjeçarit të famshëm për formën e tij fizike besohet se ishte një reaksion ndaj qetësuesit meprobamat, i cili përbëhej pjesërisht nga qetësuesi i përdorur shpesh prej Lee, i quajtur Equagesic. Por shumë fansa të tij nuk janë të bindur me shpjegimet e dhëna ndër vite dhe insistojnë se palë të treta mund të kenë pasur ndikim në “eliminimin” e idhullit të tyre.
Por tanimë studiuesit sugjerojnë se oedema është shkaktuar nga hiponatraemia. “Në fjalë të tjera, ne propozuam se dështimi i veshkës për sekretimin e ujit të tepërt, ka vrarë Bruce Lee,” shkruanin studiuesit në studimin e publikuar në revistën shkencore Clinical Kidney Journal.
“Ne hipotezojmë se Bruce Lee vdiq nga një formë specifike e keqfunksionimit të veshkës: si paaftësia për të ruajtur homeostazën me balancimin e ujit.”
Ata shkruanin më pas: “Ironikisht, Lee ka thënë më parë në lidhje me lëvizjet e tij: ‘Bëhu si uji, miku im’ por uji i tepërt duket se e vrau”.
Lee është riimagjinuar në filmin e Quentin Tarantino në vitin 2019, ‘Once Upon a Time in Hollywood’.
Por e bija e Lee, Shannon Lee, dënonte Tarantino për përshkrimin e babait të saj duke e quajtur “të papërgjegjshëm” pasi e shfaqte Lee si një “arrogant i mbushur me pompozitet”. Tarantino i është përgjigjur pretendimeve në një intervistë duke thënë: “Andej nga vij unë do ta kuptoja që e bija ka një problem me përshkrimin, sepse është babai i saj, ndërsa për të tjerët nuk më bëhet vonë”.
Top Channel