Pesë ide të reja u prezantuan sot në “Startop”, projekt i Fondacionit mediatik “Dritan Hoxha”, mbështetur nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Panelistët Antonela Hako, administratore e kompanisë “Hako”; Amarda Toska sipërmarrëse e “Ami Event”; Patrik Fetahaj, ekspert i Start up-eve dhe Arbian Mazniku nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhanë opinionet tyre për idetë që u prezantuan këtë të shtunë në studio.

Projekti i parë që u prezantua ishte “Nobo”, i cili krijonte lidhjen mes klientëve dhe pjesës së gjetjes së ambienteve të magazinimit të produkteve.

Veç gjetjes së magazinës për klientin e interesuar, projekti merr përsipër edhe kushtet në ambient, për shembull siç mund të jetë temperatura specifike për një produkt të caktuar, apo siguria që është shumë e rëndësishme.

Amber Xhepa, pjesë e kompanisë “Digitsapiens” shpjegoi në studio se si funksiononte projekti, duke theksuar se anon më shumë nga fusha e real estate.

Ai theksoi se pikat më të forta të projektit janë teknologjia dhe logjistika.

“E ndërtuar mbi bazën e konceptit ‘economy sharing’,me pjesën e  fushës së real estate dhe logjistikës. Ne kemi një bazë klientësh tashmë. Qëllimi është reduktimi kohës dhe i kostove. Në momentin që ti kërkon një magazinë të duhet një person. Mund të gjesh magazine që i përshtaten produktit, do kesh edhe një GPS se ku ndodhet, çdo informacion që kërkon mbi ambientin. Pikat tona më të forta janë teknologjia dhe logjistika. Kompania që ka nevojë për magazinim nuk ka fonde që të ketë magazinat e veta, ndërkohë që unë të ofroj këtë. Ne jemi në fazat e fundit të zhvillimit. Akoma nuk ka dalë në treg, por vlera bazohet në bazë të klientëve. Për shembull do të  ketë produkte të freskëta që kërkojnë kushte temperaturash të caktuara. Kur marrim të dhënat për një klient dhe magazinë, ne marrim edhe për personalin edhe për orët e të tjera informacione”, tha Xhepa.

Projekti i dytë që u prezantua ishte “Junior Achievement Albania”, i cili trajnon fëmijët që nga mosha parashkollore deri në vitin e tretë të gjimnazit si të bëhen sipërmarrës me ekspertë shqiptarë dhe të huaj.

CEO i kompanisë, Blerina Guga e ftuar në studio përmendi se janë tetë kompani sot në treg të cilat janë produkt i “Junior Achievement Albania”.

“Funksionon që prej 10 vitesh në vendin tonë, nga mosha parashkollore deri klasën e 12 përgatitje për sipërmarrjen dhe gatishmërinë në punë nga ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Ne u mësojmë si të bëhet një biznes i vërtetë praktikisht. Ne u mësojmë si të bëhen biznesmenë këta adoleshentë. Pjesa më interesante është se si erdhëm ne si lehtësues të start up-eve. Ne kemi përgatitur çdo vit me dhjetëra të cilët mësohen që të ndërtojnë një kompani. Ata krijojnë një grup, shesin aksione, kanë një CEO dhe nën udhëheqjen e Junior ata krijojnë këtë produkt të parë, shesin në panair në nivel shkolle, dhe konkurrojnë se kush bën më shumë para dhe cili ka idenë më të mirë. Janë 8 kompani start uP që janë në treg sot. Ata kanë dalë në treg, ne si investim arritëm të bindim bordin tonë që të kishin një mbështetje jo vetëm me trajnime”, tha Guga.

“Switch Technologies” ishte ideja e tretë, e krijuar nga tre djem nga Elbasani, të cilët trajnojnë kodues dhe programues me një program të krijuar nga vetë ata.

Të ftuar në studio ishin dy prej tyre, Klised Rungo dhe Kleo Zane, të cilës theksuan se në përfundim të trajnimit, krijohet mundësia e rekomandimit për t’u punësuar në kompani në Shqipëri dhe në Gjermani.

“Kërkesa për zhvillues softwer-ësh është në rritje, 85 milionë është kërkesa, shumë më e madhe në krahasim me degë të tjera.  Në Shqipëri kompanitë e zhvillimit  janë duke u rritur me 40% në vit, por kryesisht janë të centralizuara vetëm në Tiranë. Mënyra se si gjenerojmë të ardhura janë tre paketa me abonim dy mujor, online, ofline dhe hibride me çmime të përballueshme nga të gjithë klientët tanë potencialë. Në mënyrën tonë duam që ta luftojmë emigracionin. Është shumë e rëndësishme se ku ndahet një kodues nga një programues. Një kodues shkruan kode, një programues krijon kode. Tirana është shumë e fryrë si me kompani, si me trajnime”, thanë djemtë.

Projekti i katërt që u prezantua ishte “Dora Creative Space”, agjenci kreative që merret me multimedian, IT dhe Marketingun.

Përfaqësuesi i kompanisë, Antonio Demiri i ftuar në studio theksoi se kjo është një agjenci ndryshe nga të tjerat, e cila bën bashkë ekspertë të disa fushave për të krijuar në fund një produkt të suksesshëm.

“Dora Creative Space është agjenci kreative që merret me multimedian, IT dhe Marketingun. Kjo është një agjenci ndryshe, që këta profesionistë… sidomos studentët, të shkosh në një punë shumicën e rasteve duhet bachelor, doja që të bëheshin bashkë këta persona. Pjesa e freelancer është në backstage, ju doni të bëni një fushatë dhe ne krijojmë pjesën e punës, japim shërbimin dhe produktin”, tha Demiri.

Projekti i pestë dhe i fundit ishte “LikSad-e-Bike”, biçikleta me qira, të cilat të ofrojnë hartë me vendet turistike dhe mundësinë e informimit të historisë së objektit apo zonës turistike përmes një audioguide.

Krijuesi Sadi Lika i ftuar në studio tha se nuk do ta shiste projektin e tij,  ndërsa shuma për të qenë aksioner ishte një  milionë euro.

“Turistët që vinin e merrnin biçikleta  e kishin të vështirë të vizitonin vendet, kjo i kufizonte. Gudia është aplikacion që shkarkohet në celular, dhe i orienton në vendet që duhet të ecin, vendet turistike dhe të dëgjojnë historinë. Janë me mijëra turistë që marrin biçikleta me qira, audio guida mund të blihet në website. Në gusht të vitit 2019 se nisëm aktivitetin në Durrës, i gjetur në vështirësi pas tërmetit u zhvendosa në Tiranë. Ne kemi dy dyqane fizike në Tiranë dhe Golem. Ne e shesim në website si produkt. Kemi fitim edhe në periudhat e verës edhe në dimër. Do duhen 1 milionë euro nëse do të jesh aksioner me mua, për të marrë audioturet”,  tha Lika.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA