Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit për vitin 2022, atë ndaj Armenisë, pasditen e sotme, në orën 17:30, në “Air Albania”.
Kuqezinjtë prezantohen në këtë përballje pas humbjes 1-3 përballë Italisë, ndërsa në takimin e sotëm, trajneri Edoardo Reja pritet të zbresë nga minuta e parë me shumë ndryshime dhe risi, madje do të luajnë nga minuta e parë edhe disa prej lojtarëve të cilët vijnë nga Kategoria Superiore.
Skema nuk ndryshon, pasi italiani nuk heq dorë nga 3-5-2, teksa më portë nga minuta e parë pritet të aktivizohet Elhan Kastrati, i cili po bën shumë mirë në Serinë B italiane.
Në mbrojte nga minuta e parë pritet të luajnë Gurishta dhe Bajrami, ndërsa në balotazh është Kumbulla dhe Mihaj për pozicionin e qendrës, kjo pasi mbrojtësi i Romës vuan një dëmtim të lehtë dhe nëse nuk do të jetë në kondicionin e duhur, vendin e tij pritet ta marrë futbollisti që luan në Portugali.
Në mesfushë pritet të luajë nga minuta e parë Hadroj dhe Hysaj nga krahët, ndërsa në qendër treshja Çokaj, Asllani dhe Laçi.
Mesfushori i Interit, Asllani ka shfaqur probleme, por nuk raportohet për ndonjë dëmtim serioz dhe pritet të luajë nga minuta e parë.
Në sulm do të ketë ndryshime, kjo për faktin se Uzuni është larguar nga grumbullimi ashtu siç ishte njoftuar edhe përpara takimit me Italinë, ndërsa Broja u largua për shkak të dëmtimit të pësuar dhe në repartin e avancuar do të luajë dyshja Muçi – Skuka.
Ky i fundit mori pak minuta me Italinë, por ishte protagonist duke kërcënuar seriozisht portën e italianëve dhe tashmë do të ketë mundësinë të tregojë vlerat ndaj Armenisë nga minuta e parë.
Reja dhe Shqipëria do të kërkojnë maksimumin në këtë përballje, pasi në rast të kundërt, “kuqezinjtë” rrezikojnë të mbyllin vitin 2022 pa asnjë fitore.
Top Channel