Në një investigim të fundit të rrjetit britanik Daily Mail thuhet se pronarët e Facebook, Meta kanë shkarkuar dhjetra punonjës ose grupe kontraktore për abuzim të mjeteve të brendshme të kompanisë, për të keqpërdorur llogaritë individuale të Facebook e Instagram sipas porosive, ose në këmbim të ryshfetit.
Punonjesit e rrjetit gjigant social, madje edhe roje sigurie janë përfshirë në abuzimet me një nga mjetet e rekuperimit të llogarive të quajtur ‘Oops’, raportonte më herët rrjeti Wall Street Journal, duke cituar dokumente të njerëzve të brendshëm me çështjen.
‘Oops’, që është një formë e shkurtër e ‘Online Operations’, është krijuar nga Facebook që punonjësit të ndihmojnë familjarët e tyre ose përdorues të profilit të lartë për të rifituar aksesin në llogaritë e tyre pas humbjes së fjalëkalimit ose hakerimit të faqes.
Por një industri e tërë abuzive është krijuar duke shitur e blerë aksesin në llogaritë e bllokuara, shpeshherë me ndërmjetës, rryshfete dhe shantazhe.
Në një prej rasteve, modelja Brooke Millard thotë se pagoi një ndërmjetës $7,000 për të rifituar aksesin në llogarinë e vet në Instagram , me rreth 650,000 ndjekës, pasi u përjashtua prej saj për arsye të pakuptueshme. Modelja thotë se dyshon se kjo u bë qëllimisht nga punonjësit e rrjetit për të kërkuar rryfshfet.
Meta thotë se blerja ose shitja e llogarive ose pagesat për rikuperimin e aksesit, janë një shkelje e kushteve të punës dhe të shërbimit të rrjetit.
Në të paktën dy raste roje të sigurisë së Meta akuzohen se kanë abuzuar aksesin e tyre në opsionet e Oops, për të marrë peng llogaritë e përdoruesve me influencë e të ardhura.
Kendel Melbourne, një prej rojeve të shkarkuar tashmë, është akuzuar për bashkëpunim me palë të treta për marrjen e kontrollit të llogarive në këmbim të ryshfetit.
Një zëdhënës i Meta nuk ktheu komentet e kërkuara nga DailyMail.com të enjten.
Top Channel