Në stadiumet e Botërorit të Katarit nuk do të shitet birrë.
Ky është vendimi i FIFA dhe qeverisë së vendit arab sipas të cilit asnjë lloj pije alkoolike nuk do të mund të shitet brenda perimetrave të të 8 stadiumeve ku do të zhvillohen ndeshjet e kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik.
Ky vendim i marrë vetëm në çastet e fundit rrezikon të shkaktojë zemërim te sponsorët e në mënyrë të veçantë te kompania Budwiser me të cilën FIFA ka një marrëveshje prej 75 milionë dollarësh.
Në një komunikatë për shtyp, qeveria e futbollit botëror nënvizon se pijet alkoolike do të jenë të disponueshme në fan zonë, por pasojat pritet të jenë të mëdha. Dhe kjo jo vetëm për çështjet ekonomike dhe kontraktuale, por edhe për kredibilitetin e vetë organizatorëve të eventit.
Sipas udhërrëfyesit zyrtar të Botërorit, lexohet se zotëruesit e biletave kanë akses te tendat e shitjes së Budweiser, Budweiser zero dhe Coca Cola, 3 orë përpara ndeshjeve dhe 1 orë prapa në pritje të konfirmimit të rregullit që parashikonte lejimin e shitjes së pijeve alkoolike pranë stadiumeve.
Por pak ditë më parë doli lajmi se tenda të tilla do të spostoheshin në vende më të fshehura, larg rrugëve kryesore, por tani doli vendimi që ndalon përfundimisht shitjen e pijeve alkoolike në stadiumet e botërorit.
Në Katar, pijet alkoolike në fakt nuk janë të ndaluara krejtësisht, por shitja e tyre bëhet me kontroll të rreptë dhe bëhet thuajse ekskluzivisht në baret e hoteleve luksoze duke u shndërruar në një privilegj për pak persona.
Top Channel