“Ta harrojnë Kupën e Botës”, Neymar zbulon bisedën me Messin dhe Mbappe

17/11/2022 14:14

Neymar e ka nisur shumë mirë sezonin me PSG-në.

Sulmuesi numëron 15 gola dhe 12 asiste me kampionët e Francës dhe shkon në Botërorin e Katarit në një formë shumë të mirë sportive.

Tifozët e Brazilit presin që 30-vjeçari të udhëheqë Kombëtaren seleçao drejt fitimit të Kupës së Botës, trofe që i mungon Brazilit prej vitit 2002, dhe Neymar është gati për këtë sfidë të madhe.

Goleadori ka zbuluar në rrëfimin e fundit edhe fjalët që u ka thënë Leo Messit dhe Kylian Mbappe në lidhje me Botërorin Katar 2022, që fillon të dielën e 20 nëntorit me sfidën Katar-Ekuador.

“Kupa e Botës është ëndrra ime më e madhe. Tani kam një mundësi tjetër dhe shpresoj ta realizoj. Kemi bërë shaka me Messin dhe Mbappe në lidhje me mundësinë e përballjes me njëri-tjetrin në finale.

Unë u thashë atyre se do të bëhem kampion bote, kemi qeshur shumë me njëri-tjetrin. Të luash me Messin dhe Mbappe është një kënaqësi e madhe. Ata janë lojtarë të mëdhenj, por Botërorin dua ta fitoj unë.

Mbappe e ka fituar, ndërkohë që Messi, i cili konsiderohet prej vitesh si më i miri në planet, e ka humbur një finale. Tani është radha ime për të fituar Kupën e Botës”, deklaroi Neymar.

Brazili bën pjesë në grupin G bashkë me Zvicrën, Kamerunin dhe Serbinë. Skuadra e Tite-s luan takimin e parë në Katar ndaj Serbisë (24 nëntor)./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA