Video/ Kreu shtetëror i sigurisë mes 5 viktimave të rrëzimit të helikopterit zyrtar në Meksikë (fotot)

17/11/2022 21:05

Pesë njerëz, përfshi dhe kreun e sigurisë së shtetit verior meksikan të Aguascaliente janë vrarë sot në një aksident me helikopter në Meksikë, njoftoi guvernatorja Teresa Jimenez.

Sekretari i sigurisë Porfirio Havier Sánchez, dhe katër të tjerë kanë vdekur pas përplasjes së sotme, për të cilën autoritetet besojnë se ishte një aksident.

“Për fat të keq nuk ka të mbijetuar dhe është konfirmuar vdekja e sekretarit të sigurisë publike”, tha në konferencën e shtypit guvernatorja Jiménez.


Viktimat e tjera ishin dy anëtarë ekuipazhi dhe dy ushtarakë, që po punonin me sekretarin në çështjet e sigurisë, në veriun e trazuar nga bandat kriminale.

“Kanë nisur hetimet për përcaktimin e shkaqeve të mundshme të tragjedisë teksa çdo gjë deri tani sinjalizon për një aksident”, shtoi guvernatorja.

Ajo shtoi se Sánchez kryente thuajse përditë lëvizje me helikopter, piloti i të cilit kishte manovruar “heroikisht” për të shmangur rrëzimin në zona të populluara.

Meksika është tronditur muajt e fundit nga një rritje e dhunës së krimit të organizuar, edhe pse Aguascalientes është një zonë me krim relativisht të ulët.

FOTO GALERI
1/3
Pesë njerëz, përfshi dhe kreun e sigurisë së shtetit verior meksikan të Aguascaliente janë vrarë sot në një aksident me helikopter në Meksikë

Top Channel