Incident diplomatik gjatë vizitës së Dendias në Libi, anulohet vizita e ministrit grek

17/11/2022 10:58

Një incident i rëndë diplomatik ka ndodhur në Libi gjatë mbërritjes së kryediplomatit grek Nikos Dendias në Tripoli, me pasojë anulimin e vizitës së tij të planifikuar, bënë me dije para pak minutash mediat greke.

Sipas informacioneve të para, z. Dendias sapo mbërriti në aeroportin e Tripolit, u njoftua se do të pritej nga ministrja e Jashtme e qeverisë libiane, Naila Mangous, që ka nënshkruar memorandumin e paligjshëm turko-libian, të cilin Athina ka kundërshtuar në gjithë institucionet ndërkombëtare.

Zoti Dendias sipas marrëveshjes, duhej të  pritej atje nga Presidenti i Këshillit Presidencial të vendit, Mohamed Menfi ,ndaj dhe nuk ka pranuar të takohet me Naila Mangous duke e konsideruar këtë ndryshim si një shantazh të qeverisë tranzitore të Libisë.

Incidenti ndodhi kur avioni që transportonte Nikos Dendias në Libi u ul në Tripoli , vendi që kishte caktuar vetë presidenti i Këshillit Presidencial Libian, Mohamed Menfi dhe ishte pranuar nga z. Dhendias me kushtin që të ndodhej vetëm ai dhe të mos merrte pjesë në takim askush tjetër.

Zoti Dendias pa zbritur nga avioni  ka komunikuar me stafin e qeverisë Dbeibeh duke theksuar se  nuk u respektuan kushtet e rëna dakord dhe më pas, ka vendosur të anullojë vizitën në Tripoli dhe të vazhdojë drejt Bengazit.

Episodi diplomatik nuk mbaroi me kaq, pasi kur avioni qeveritar kërkoi leje për t’u ngritur dhe për të udhëtuar në Bengazi, Tripoli informoi pilotin e avionit se nuk kishte plan fluturimi për të lënë hapësirën ajrore  atje dhe për të kaluar në hapësirën ajrore të Bengazit. Ministrit të Jashtëm dhe pjesës tjetër të misionit diplomatik iu desh të prisnin 1.5 orë brenda avionit për tu nisur dhe më në fund për të mbërritur në Bengazi, ku vazhdon programi i zotit Dendias.

Burime të Ministrisë së Jashtme folën për “loj të ndyrë”, ndërsa theksuan se autoritetet libiane mendonin se mund të shantazhonin situatën, me këtë lëvizje të papritur.

Ministrja e Jashtme e qeverisë së përkohshme të Abdul Hamid Dbeibeh, Naila Mangous, është politikania  e cila nënshkroi me Ministrin e Jashtëm të Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu marrëveshjen turko-libiane në tetor, bazuar në të ashtuquajturin nga Athina memorandum I paligjshëm  turko-libian i vitit 2019, i cili është dënuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Qëndrimi i Athinës, me të cilin bashkohet edhe Egjipti, është se mandati i qeverisë së Tripolit ka mbaruar dhe nuk ka legjitimitet për të nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare që lidhin të ardhmen e vendit dhe se qeveria e Tripolit është e përkohshme me qëllim që ta çojë vendin drejt zgjedhjeve.

Top Channel