Reja analizon dështimin e Italisë: “Fajin” e kanë Juve, Milan e Inter

16/11/2022 10:03

Shqipëria dhe Italia do të përballen në një miqësore të mërkurën në mbrëmje në “Air Albania”, sfidë që ka ngjallur entuziazëm te kuqezinjtë, por edhe zhgënjim te të kaltrit, që për të dytin edicion radhazi do ta shohin Botërorin nga shtëpia.

Gazetarët italianë të pranishëm në sallën e konferencave, kërkuan edhe opinionin e trajnerit të Shqipërisë, Edi Reja, në lidhje me shkaqet e dështimit për herë të dytë radhazi, teksa tekniku vuri theksin te prania e shumë të huajve në klubet elitare të Serisë A.

“Është një moment negativ për futbollin dhe analiza duhet bërë e thellë. Kohët e fundit skuadrat kryesore italiane si Juventusi, Interi e Milani kanë gjithnjë e më pak italianë në skuadër dhe nuk ofrojnë më atë bllokun e zakonshëm prej 6-7 lojtarësh secila për kombëtaren. Te Italia shpesh kemi parë lojtarë të talentuar, por pa eksperiencë ndërkombëtare, pa luajtur në nivele të tilla si Champions League. Sheh shpesh lojtarë që luajnë te Sassuolo apo skuadra të tjera mesatare, të cilët nuk kanë luajtur kurrë në Europë dhe kjo i penalizon jo pak. Mancini ka bërë një punë të shkëlqyer në fakt, ndonëse me eliminatoret e Botërorit nuk i ka ecur, pasi ka pasur edhe fatin kundër. Shpresoj që të vijojë me punën e mirë dhe shumë shpejt të rikthejë Italinë aty ku e ka vendin”, u shpreh Reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA