Raketat që ranë në Poloni duke marrë jetën e dy personave, me shumë gjasë nuk janë lëshuar nga Rusia thotë presidenti amerikan Joe Biden.
Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, trajektorja e raketave dëshmon se nuk janë nisur nga territori rus në drejtim të vendit anëtar të NATO-s, megjithatë shtoi ai, për siguri, ne do të presim fundin e hetimit.
“Informacionet paraprake e kundërshtojnë një gjë të tillë. Nuk dua ta them këtë derisa të hetojmë plotësisht. Por duke pasur parasysh trajektoren, nuk ka gjasa që raketat të jenë lëshuar nga Rusia. Për cdo rast, do të presim e do të shohim”- u shpreh Biden.
Biden foli me homologun polak Andrzej Duda dhe i shprehu ngushëllimet e thella për humbjen e jetëve mbrëmjen e së martës. Duda e informoi lidhur me hetimet e vendit të tij mbi shpërthimin në pjesën lindore të vendit, pranë kufirit me Ukrainën, ndërsa Biden i rikonfirmoi angazhimin e hekurt të Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s.
Të dy udhëheqësit u pajtuan që ata dhe ekipet e tyre të qëndrojnë në kontakt të ngushtë për të përcaktuar hapat e duhur ndërsa vazhdojnë hetimet. Incidenti ngjalli menjëherë shqetësimin se në vorbullën e konfliktit në Ukrainë, tashmë mund të tërhiqej dhe NATO. Dy persona vdiqën nga shpërthimi në një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën.
Njësitë e specializuara polake në bashkëpunim me aleatët e NATO-s po hetojnë lidhur me njoftimet e pakofirmuara se shpërthimi ishte shkaktuar nga raketa ruse që kanë devijuar objektivat, por në mediat vendase u shfaqen dhe raporte sipas të cilave, raketat që ranë në Poloni mund të jenë lëshuar nga forcat ukrainase më qëllimin të godisnin një raketë ruse.
Moska vetë e quajti këtë “përpjekje për të provokuar një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake mes Natos e Rusisë, e cila do të kishte pasoja për të gjithë planetin.
Top Channel