Nga ambasada në Tiranë, te bashkëpunimi energjetik e Kosova/ Presidenti Begaj pret homologun nga Azerbajxhani, Ilham Aliyev

15/11/2022 11:37

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në Tiranë, në një vizitë shtetërore Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Në konferencën e përbashkët për mediat, Presidenti  Begaj e konsideroi një vizitë historike, për marrëdhëniet mes dy vendeve, vizitën e Presidentit Aliyev, e para e një President nga Azerbajxhani në Tiranë.

“Shpreha vlerësimet më të mira për dialogun e shkëlqyer politik dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe kam bindjen se kjo vizitë e juaja, – zoti President – do t’i japë një shtysë të fuqishme bashkëpunimit në të ardhmen, në fusha me interes të përbashkët.” tha Begaj ndërsa theksoi se me Presidentin Aliyev diskutuan edhe për propozimin e palës Azerbajxhane për hapjen e Ambasadës në vendin tone.

“Diskutimet tona sot u fokusuan veçanërisht në nevojën për identifikimin e fushave të interesit të përbashkët dhe rrugët konkrete për thellimin e bashkëpunimit. Biseduam për nevojën e mbajtjes së Komisionit të Përbashkët Ekonomik në vitin 2023, si instrumenti më i mirë politiko-teknik për të vendosur piketat konkrete të bashkëpunimit dhe programuar vazhdimësinë për vitet e ardhshme.” vijoi më tej Begaj .

Shqipëria synon një bashkëpunim më të ngushtë, tha Begaj duke vecuar sektorë jetikë, si energjia dhe infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe prodhimtaria.

“Gazsjellësi Adriatiko-Jonian IAP, – përmes TAP-it, – lidh Shqipërinë me Malin e Zi, Kroacinë e Bosnjën, duke e kthyer vendin tonë në një shpërndarës dhe diversifikues rajonal të gazit; me rëndësi gjeostrategjike në planin rajonal dhe evropian.

Bashkëpunimi mes dy vendeve tona, përmes projektit madhor të TAP-it, ka qenë i suksesshëm. Ne kemi shumë për të mësuar dhe përfituar nga përvoja dhe investimet azerbajxhanase në këtë fushë.

Shqipëria, si vend tranzit në kuadër të TAP-it, synon të kthehet edhe në një vend përfitues të transmetimit të gazit. Në kuadër të bashkëpunimit me BE-në, Shqipëria dhe gjithë vendet e Ballkanit duhet të krijojnë infrastrukturën e gazifikimit dhe kapacitetet e nevojshme deri në vitin 2030.

Kështu, procesi i gazifikimit të Shqipërisë hap mundësi të reja bashkëpunimi. Ne mirëpresim ndihmën nga pala azerbajxhanase për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme njerëzoredhe besojmë se kompanitë nga Azerbajxhani do tëshfrytëzojnë hapësirat për bashkëpunim në këtë sektor, – në Shqipëri, Kosovë dhe rajon. “ theksoi Begaj.

Ndër të tjera Begaj apeloi Presidentin e Azerbajxhanit, të mbështesë dhe mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë/

“Kosova është tejet e rëndësishme për Shqipërinë.  Stabiliteti dhe përparimi demokratik i Kosovës është i rëndësishëm jo vetëm për ne, por për qëndrueshmërinë dhe përparimin e gjithë rajonit tonë.

Ne inkurajojmë qeverinë e Azerbajxhanit që të mbështesë dhe mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, si nëKëshillin e Evropës apo njohjen e dokumenteve tëudhëtimit të qytetarëve të Kosovës. Jo më pak i rëndësishëm është bashkëpunimi ndër-parlamentar.

Krijimi i Grupit Parlamentar të Miqësisë mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit duhet të ndiqet nga hapa të tjerë, që krijojnë mundësitë për intensifikim të bashkëpunimit mes dy parlamenteve tona.” tha Begaj.

Top Channel