Lista Serbe ka refuzuar pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale në katër komunat veriore të Kosovës.

“Duke pasur parasysh vendimin e Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, informojmë opinionin se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe as qytetarët që mbështesin partinë tonë, prej të cilave mbi 95 për qind janë në këto zona”, sipas Listës.

Njoftimi vjen një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.

Kryetarët e këtyre komunave, të gjithë nga Lista Serbe dhanë dorëheqje më 5 nëntor, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa  serbe.

Lista Serbe tha të martën se as subjekti, as qytetarët që e mbështesin atë – “mbi 95% e të cilëve janë në këto zona” – nuk do të dalin në zgjedhje.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, nga 31.533 votuesit që kanë marrë pjesë në katër komunat në veri, 28.517 kanë votuar për Listën Serbe.

Osmani tha se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është “detyrim kushtetues” që pason “aktin e dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave” dhe “assesi çështje dëshire apo vendim që mund të ndryshohet”.

Top Channel