Pak pasi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani njoftoi se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç do të mbahen në 18 dhjetor, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në vend–deklaroi se nuk do të marrë pjesë në votime.

Kryetarët e këtyre katër komunave – që të gjithë nga Lista Serbe – dhanë dorëheqje në 5 nëntor, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe. Sipas përfaqësuesve të kësaj partie, zgjedhjet do të bojkotohen jo vetëm nga kjo forcë politike, por edhe nga  “mbi 95% e qytetarëve në këto zona”.

Në lokalet e vitit të kaluar, nga mbi 31.500 votues që morën pjesë ne zgjedhjet në katër komunat veriore, mbi 28.500 votuan për Listën Serbe. Asokohe, misioni vëzhgues i Bashkimit Europian deklaroi se “Lista Serbe e ka monopolizuar jetën politike të serbëve të Kosovës” dhe, sipas tij, ka pasur “raste të kërcënimit dhe presioneve” mbi votuesit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka nisur tashmë përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Mitrovicë të Veriut, Leposavic, Zubin Potok dhe Zveçan.

Sinjali se zgjedhjet do të dështojnë edhe nga shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, i cili i përshkroi ato si “një përpjekje e re e Prishtinës për të pushtuar” veriun e Kosovës, “duke u fshehur pas një lloj procesi zgjedhor”.

Top Channel