Ushtria izraelite vret 19-vjeçaren palestineze në makinë gjatë sulmit në Ramallah (fotot)

14/11/2022 19:46

Në makinë u gjetën dy sanduicë ende të ngrohtë, me njolla gjaku të gruas së vrarë dhe të burrit të plagosur, thanë dëshmitarë të ngjarjes.

Forcat izraelite kanë vrarë një vajzë në orët e para të së hënës në qytezën e Beitunia në Ramallah, në tokat e pushtuara të Bregut Perëndimor.

Vrasja ndodhi gjatë një bastisje të ushtrisë izraelite në Beitunia, thonin dëshmitarët vendas.

“Ushtarët pushtues arrestuan një burrë në qytet dhe po ecnin duke e shoqëruar në rrugë”, tha rezidenti i Beitunia, Baker Armoush, për rrjetin TNA.

“Disa nga ushtarët qe ecnin para të tjerëve dhe panë makinën me të cilën po udhëtonin në drejtim të ushtarëve, e ndjera dhe një burrë, dhe hapën menjëherë zjarr”, tha Armoush.

“Burri tentoi më pas të largohej me makinë por ushtarët hapën zjarr përsëri dhe shoferi doli i përgjakur me duart lart dhe ushtarët e pushtuesit e arrestuan,” përshkruante ngjarjen Armoush.


“Ushtarët më pas nxorrën nga makina trupin e të resë dhe tentuan t’i japin ndihmë, por ajo kishte vdekur. Ata e lanë përtokë për disa kohë e pastaj e vendosën në një nga makinat ushtarake dhe u larguan”, tha dëshmitari.

“Në makinë ne gjetën dy sanduiçë ende të ngrohtë të njollosur me gjakun e martires dhe të burrit të plagosur”, shtoi Armoush.

Media izraelite citonte ushtrinë  të thoshte për incidentin se “i kishin sinjalizuar makinës të ndalonte” dhe më pas kishin hapur zjarr kur ajo po afrohej drejt tyre.

Forcat izraelite dorëzuan trupin e vajzës në spitalin palestinez të Ramallah ku mbetet aktualisht.

Vrasja e sotme në Beitunia është më e fundit e një serie vdekjesh gjatë sulmeve izraelite të natës në komunitetet palestineze për arrestimin e atyre që ushtria quan “militantë”.

Më shumë se 160 palestinezë janë vrarë në situata të tilla në Bregun Perëndimor që prej fillimit të vitit 2022.

Ministria palestineze e shëndetësisë identifikonte viktimën si 19 vjecarja Sanaa Al-Tell, nga qyteza Daheriyah pranë Hebron, në Bregun Perëndimor.

“Para njoftimit të emrit të martires, kemi kontaktuar me të gjitha familjet me këtë emër për të gjetur të afërmit”, tha Ahmed Al-Qaisi, përfaqësues i bashkisë së Dahiriyah.

“Asnjë në Daheriyah nuk e njihte martiren,” tha Al-Qaisi. “Ishin disa njerëz nga familje me emrin Al-Tell që erdhën për ta njohur në spitalin e Ramallah por asnjë nuk e identifikonte.”

FOTO GALERI
1/3
"Ushtarët pushtues arrestuan një burrë në qytet dhe po ecnin duke e shoqëruar në rrugë”, tha rezidenti i Beitunia, Baker Armoush

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA