Për të shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani  mblodhi partitë për konsultim.

Pas këtij takimi presidentja dha dy opsione për ditën e zgjedhjeve atë të 11 ose 18 dhjetorit.

Në konsultim me presidenten shkuan ish ministrat Aleksandar Jabllanoviç, i partisë së Serbëve të Kosovës dhe Nenad Rashiç i partisë Demokratike Progresiste.

Pas takimit ata thanë që në gjithë këtë tension, zgjedhjet vështirë se do të mbahen.

 “A do të dalim në zgjedhje varet nga shumë rrethana. Varet  shumë nga disponimi i komunitetit tonë  por mbi të gjitha edhe nga Beogradi zyrtar. Në fund të fundit ne duhet ti shohim sinjalet që na jep qeveria e Serbisë”, tha  Aleksandar Jabllanoviç, kryetar, Partia e Serbëve të Kosovës.

 “Mund të përdoren për të ngritur tensione dhe konflikte, madje edhe për të përshkallëzuar disa veprime të padëshiruara, si dhe dhunë. I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti që të heqë dorë nga afati për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe, përkatësisht nga masa e dënimit, e cila sipas planit duhet të fillojë më 21 nëntor, të shtyhet për 10 muaj për të gjetur një mënyrë për ta “tejkaluar problemin”, tha Nenad Rashiç, kryetar, Partia Demokratike Progresiste.

Për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të vendit, Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se të gjitha institucionet do të angazhohen për mbarëvajtjen e tyre dhe shtoi se vendimi për zgjedhjet e jashtëzakonshme është obligim Kushtetues.

Në takimi që zgjati për rreth një orë e gjysmë munguan Lista Serbe e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Derisa Lista Serbe bojkoton institucionet, AAK ka refuzuar të marrë pjesë  me arsyetimin se Qeveria duhet të pezullojë vendimin për targat, të dialogojë me serbët e partitë opozitare si dhe të përfshijë SHBA-të në një zgjidhje përfundimtare me Serbinë.

Partitë opozitare shqiptare në vend u shprehën të gatshme të marrin pjesë në zgjedhje.

Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës dhanë dorëheqje pasi Qeveria nuk heq dorë nga vendimi për riregjistrimin e targave.

Top Channel