Debutim ndaj Shqipërisë? Talenti i Juventus: Nuk e dija për ftesën e Mancinit, isha në gjumë!

14/11/2022 22:02

Nicolo Fagioli është një nga notat më pozitive të këtij sezoni për Juventusin. Mesfushori përfitoi nga dëmtimet e shumta te bardhezinjtë dhe “detyroi” trajnerin Massimiliano Allegri t’i besonte një fanellë titullari.

Dhe, në fakt 21-vjeçari ia ka shpërblyer plotësisht besimin teknikut livornez duke ofruar garanci në një repart që në sezonet e fundit ka rezultuar një “gangrenë” për Zonjën e Vjetër.

Falë paraqitjeve pozitive me bardhezinjtë, Fagioli fitoi edhe grumbullimin për herë të parë me kombëtaren e Italisë teksa trajneri Roberto Mancini pritet t’i dhurojë debutimin të mërkurën, pikërisht në sfidën miqësore të Air Albanias ndaj Shqipërisë. Së fundmi, mesfushori foli për emocionet e ftesës së parë nga axurrët, edhe pse u shpreh se lajmin e grumbullimit nuk e mësoi në kohë reale, pasi ishte duke fjetur gjumë.

“Grumbullimi me kombëtaren? As nuk e vura re, isha duke fjetur gjumë sepse vija pas një ndeshje shumë të lodhshme ndaj Veronës. Pastaj më mbërritën menjëherë mesazhet, isha sigurisht shumë i lumtur ashtu si edhe gjithë familja ime. Ishte një ndjesi e mrekullueshme. Kur nis dhe luan futboll, mendon gjithnjë për ditën që mbërrin në kombëtare. Roli në fushë? E kam nisur si trekuartist, por duke parë edhe karakteristikat e mia më kanë spostuar disa metra pas në fushë. Unë ende nuk e kam vendosur ku ndihem më mirë.

Idhull? Sigurisht Del Piero, për mua goli ndaj Gjermanisë në gjysmëfinalen e Botërorit të vitit 2006 do të ngelet përgjithmonë. Më ka bërë komplimente për lojën apo golat që kam shënuar. Unë inspirohem nga ai dhe Dybala, më pëlqejnë lojtarët e talentuar”, u shpreh Fagioli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA